Flet avokati i Durakut: Serbia po i revanshohet Kosovës

Aktuale

Flet avokati i Durakut: Serbia po i revanshohet Kosovës

Më: 28 prill 2024 Në ora: 20:14
Sadik Durakut

Serbia po i vazhdon pretendimet e saj për kinse krime lufte nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. Nën akuzat për krime lufte, që më shumë se 4 muaj po mbahet në Serbi, Hasan Dakaj nga Korisha e Prizrenit. Ndërsa, Sadik Durakut nga Gjakova, i cili ka edhe nënshtetësi britanike, Serbia ia ka caktuar 30 ditë paraburgim nën akuzat për krime lufte. Por, familjarët e tij thonë se Duraku gjatë kohës për të cilën akuzohet, s`ka qenë fare prezent në Kosovë.

Sadik Duraku është arrestuar javë më parë nga autoritetet serbe në kufirin Kroaci-Serbi, me pretendimin se ka qenë anëtar i UÇK-së më 1999.

Duraku që është nga Gjakova, ka nënshtetësi edhe britanike, ishte ndaluar më 17 prill në vendkalimin kufitar Hungari-Serbi. Ai po qëndron në paraburgim në burgjet e Serbisë, sepse Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd i ka caktuar 30 ditë paraburgim.

Mbesa e tij, Qëndresa Duraku, përmes telefonit i ka thënë televizionit publik- së se i kanë njoftuar edhe autoritetet britanike për ndalimin e tij dhe e konfirmoi se autoritetet atje janë duke u marrë me arkivat që dëshmojnë qëndrimin e tij në Angli për kohën e luftës që akuzohet.

“Deri në javën që lamë pas disa familjarë tanë e kanë parë atë. Ai është shumë i shqetësuar por terapinë po e merr. Shqetësimi ynë është gjendja e tij shëndetësore, sepse ka stenta të vendosura, pasi ka pasur infarkt në vitin 2021. Frika jonë më e madhe është se sa mund ta durojë këtë në ambiente të mbyllura e nën presion psikologjik”, tha Qëndresa Duraku.

Ajo thotë se pretendimet se për çfarë është arrestuar Sadik Duraku, nuk qëndrojnë.

“Është absolutisht absurde sepse gjatë asaj kohe ai ka qenë në Angli me familjarët. Deri në 2004 nuk ka qenë në Kosovë. Arsyeja e paraburgimit është se kanë thënë se kanë një dëshmitar që e ka parë duke kryer krime lufte, por kjo është absurde sepse nuk ka qenë këtu”, shtoi ajo.

Televizioni publik e ka kontaktuar edhe avokatin Goran Petronijeviq , i cili ka konfirmuar se Sadik Durakun e ka vizituar edhe zëvendëskonsulli i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd.

" Ai akuzohet për dhunë dhe dëbim të serbëve dhe joshqiptarëve nga zonat e Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës në periudhën e gjysmës së dytë të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999. Duke pasur parasysh mbrojtjen e tij dhe dokumentet që kanë ardhur deri tani nga Mbretëria e Bashkuar, jam i bindur se bëhet fjalë për ndryshim identiteti dhe se Sadiku nuk është personi për të cilin flitet në aktakuzë. Atij iu ka caktua masa e ndalimit për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi bëhet fjalë për shtetas të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për faktin se është me banim të përhershëm atje. Me insistimin e mbrojtjes atij iu ka ofruar kujdesi mjekësor. Ai është kontrolluar dhe iu ka ofruar terapia. Deri më tani, përveç vizitave të përditshme të avokatit, ai është vizituar nga motra e tij nga Osjeku dhe një kushëri nga vendlindja. Po ashtu, atë e ka vizituar edhe zëvendëskonsulli i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd. Ne si mbrojtje jemi në kontakt të vazhdueshëm me familjen, si dhe me zyrën e Kosovës në Beograd, me z. Jashari”, tha Petronijeviq.

Ai tutje ka thënë se paraburgimin Duraku është duke e mbajtur në burgun për krim të organizuar dhe krime lufte, ku kushtet sipas tij janë pak më të mira se ato në burgun qendror.

“Paraburgimi është gjithmonë në kushte më të këqija se sa burgu ku e vuan dënimin. Ne po bëjmë përpjekje që sa më parë të jetë i lirë, kurse për sa i përket epilogut ne si mbrojtje jemi optimist. Tani për tani jemi në pritje të një vendimi për ankesën tonë kundër vendimit për masën e paraburgimit. Nuk mund t'i shmangemi përshtypjes se veprimet e autoriteteve serbe për krime lufte janë një lloj revanshizmi i veprimeve të autoriteteve në Kosovë. Megjithatë, jam i bindur për një epilog të  favorshëm të këtij procesi”, shtoi avokati.

Në burgjet e Serbisë po mbahet edhe Hasan Dakaj, i cili u arrestua më 5 janar, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.

“Gjendja e tij shëndetësore siç e ka raportuar edhe bashkëshortja e tij , ka qenë shumë e rëndë sepse ka pasur edhe shenja të dhunës fizike. Deri më tani informacionet janë shumë të pakta, përveç ndonjë telefonate që ka Hasan Dakaj me familjarët e tij. Askush nga shteti i Kosovës nuk ka arritur ta vizitojë përveç njëherë shefi i zyrës ndërlidhëse Jetish Jashari”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat. Ai thotë se kohëve të fundit e kemi parë ashpërsinë e Serbisë, ku presidenti Vuçiq ka thënë se do të arrestohen sa më shumë shqiptarë dhe kjo po i ndodhë sipas tij edhe Sadik Durakut. “Mendoj që është një fushatë politike për të dëmtuar pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre”, tha ai.

Smakiqi tha se prokuroria në Serbi nuk i ka mbyllur hetimet për Hasan Dakajnë, derisa ngre dyshime për një aktakuzë për krime lufte. Smakiqi tutje tha se Hasan Dakaj nuk ka qenë fare i përfshirë në luftë dhe se arrestimi i tij ka qenë krejtësisht i padrejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat