“Sot qajnë bjeshkët e mia! Rugova derdhë lot!”/ Çun Lajçi me fjalë prekëse për vdekjen e Ali Lajçit

Aktuale

“Sot qajnë bjeshkët e mia! Rugova derdhë lot!”/ Çun Lajçi me fjalë prekëse për vdekjen e Ali Lajçit

Nga: M.L. Më: 29 prill 2024 Në ora: 10:44
Foto e publikuar nga Çun Lajçi

Aktori Çun Lajçi ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-deputetit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ali Lajçi.

Në një postim në Facebook, Lajçi ka bërë një përshkrim artistik të jetës dhe veprës së Ali Lajçit.

“Sot qajnë bjeshkët e mia! Rugova derdhë lot! Qanë Llutova për birin e vet, simbolin e lirisë, pishtarin e viteve 8o-ta!”, shkruan mes tjerash aktori Çun Lajçi.

Postimi i plotë:

Sot qajnë bjeshkët e mia!

Tri ditë përpara, shkrova për ëndërrën e keqe, dhe n’shkrim këlthita; - kush paska vdekur ndër bjeshkët e mia?

- Ç’jan gjithë ata njerëz ndër varreza?! Pse mbajnë plisa? Pse heshtin?

Pse si njoh unë, dhe pse s’me njohin mua?!

Pse vetëm njëri nga ta me shikon dhëmbshëm e s'me flet?!

Iu shkrova juve që m’lexoni por ju s’ma qatë dertin e ëndërrës së trisht, e cila erdhi si rreze me kosë n’dorë!

Mua me flasin ëndërrat iu thashë e ju s'me besuat!

- Leri bestytnitë ti plak i keq m'kishte shkruar njëri, por ja që ajo doli t'ishte kosë që preu një karanfil n'kep, një pishë ndër malet e mia!

Dhe ëndërra u bë e gjallë; - e mori kushëririn tim, Aliun, vullkanin e viteve 80-ta, që vër syri si bëri për milicin serb, kur u priu studentëve t’rebeluar. Kur brohoriti; - Kosova republikë!

Heshta dje, s'fola mbrëmë, s'deshta ti besoj ëndërrës as zhgjëndërres , por sot fola si ata t'moçmit me qefinin rreth kokës: - Ndër malet e mia vdiq Ali Lajçi dhe unë e shtrydhi zemrën t'mos ia prishi dekën kushëririt që flenë n’gjumin e përjetësisë, me pika loti!

Sot qajnë bjeshkët e mia! Rugova derdhë lot! Qanë Llutova për birin e vet, simbolin e lirisë, pishtarin e viteve 8o-ta!

I lehtë dheu mbi trupin tënd të dërmuar nga serbet e çmendur të të gjitha dekadave, o Ali Lajçi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat