ZPS kërkon vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin

Aktuale

ZPS kërkon vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin

Më: 29 prill 2024 Në ora: 11:59
Jakup Krasniqi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin.

Në kërkesën e parashtruar më 24 prill 2024, prokurorja e specializuar Kimberly West ka thënë se që nga shqyrtimi i fundit për rishikimin e masës së paraburgimit për Krasniqin nuk ka pas zhvillime tjera që ndryshojnë rrethanat për këtë masë. Në veçanti, ZPS parashtron që pas dëshmisë së dëshmitarit të 53-të dhe zhvillimeve të tjera në këtë rast është shtuar domosdoshmëri e paraburgimit për Krasniqin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Që nga vendimi më i fundit për paraburgim, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyen për paraburgim. Së vërteti, vazhdimi i gjykimit me dëshminë e dëshmitarit të pesëdhjetë e tretë (53) dhe zhvillimet e tjera në rast shtojnë domosdoshmërinë e paraburgimit”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.

Po ashtu, ajo tha se është konfirmuar vazhdimisht se ekziston dyshimi i bazuar se Krasniqi ka kryer krime lufte.

“Në të vërtetë, është konfirmuar vazhdimisht se ekziston dyshimi i bazuar se Krasniqi ka kryer krime brenda juridiksionit të DhSK-së”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.

West ka potencuar se për Krasniqin ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurës dhe kryerjes së mëtejshme të krimeve.

“Krasniqi është i vetëdijshëm për akuzat e rënda të konfirmuara kundër tij, dënimin e mundshëm të gjatë me burgim që mund të rezultojë prej tyre, dhe ai vazhdimisht po fiton më shumë njohuri për provat në lidhje me ato krime. “Ecuria e gjykimit rrit rrezikun e arratisjes në një nivel edhe më të lartë, pasi Krasniqi tani sheh që provat kundër tij po hyjnë vazhdimisht në rekord”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.

Si rrjedhojë, ZPS-ja ka theksuar se edhe Paneli ka konstatuar se rreziku që Krasniqi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore vazhdon të ekzistojë.

Ata gjithashtu deklaruan se ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve për të cilin edhe Apeli është pajtuar se ky konstatim është relevant dhe kontekstual.

Trupi Gjykues i Rastit të 7-të konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e gjallë dhe kritike në Kosovë’,31 dhe vlerësoi dëshminë e ekspertit mbrojtës Robert Reid, i cili theksoi se, në mbi 20 vjet në në terren, ai kurrë nuk kishte parë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë”, thuhet në parashtrimet e ZPS-së.

ZPS-ja ka parashtruar se Krasniqi ka marrë informacione në lidhje me dëshmitarët që ZPS-ja synon t’i thërras në bllokun e ardhshëm dhe se kjo gjë sipas tyre rritë rrezikun e frikësimit të tyre.

ZPS thonë se krimet për të cilat akuzohet Krasniqi janë jashtëzakonisht të rënda dhe vendimi për konfirmimin e aktakuzës përshkruan pjesëmarrjen e Krasniqit në këto krime. Andaj, rreziqet përkatëse duke përfshirë edhe atë të arratisjes, sipas ZPS-së mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit, ashtu siç edhe ka konstatuar Paneli.

Si rrjedhojë e të gjitha këtyre, ZPS-ja në parashtrimet e veta ka thënë se Krasniqi duhet të vazhdojë që të mbetet në paraburgim.

“Për arsyet e lartpërmendura, ZPS-ja me respekt parashtron se Krasniqi duhet të mbetet i paraburgosur”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat