Vdes gruaja që iu keqësua gjendja shëndetësore gjatë fluturimit nga Zvicra në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vdekur gruaja, të cilës iu keqësua gjendja shëndetësore gjatë fluturimit nga Zvicra për në Kosovë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“ANP-së, Adem Jashari 29.04.2024-22:25. Është raportuar se viktima femër kosovare derisa ishte duke fluturuar në arritje nga Zvicra, i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe pasi është kontrolluar nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Incident i rëndë në aeroplanin nga Zvicra për në Kosovë, një grua pëson infarkt gjatë aterimit
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në aeroplanin që u nis nga Baseli i Zvicrës për në Kosovë, pasi një grua e moshuar ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe pësoi infarkt.
Kështu ka bërë me dije një sinjalizues, që po udhëtonte po ashtu me të njëjtën kompani, i cili i revoltuar ka rrëfyer këtë moment kritik që përjetoi gruaja në fjalë.
Ai tha se e moshuara pësoi infarkt derisa aeroplani po ateronte, por që asnjëri prej udhëtarëve nuk u lejua nga stafi që të intervenonte, për t’ia dhënë ndihmën e parë.
I mllefosur, ai tha se u deshën të presin ekipin e mjekëve derisa erdhën dhe për pasojë gruas i është keqësuar gjendja.
Ndryshe, ai shtoi se gruaja ishte bashkë me një të moshuar, që po ktheheshin në Kosovë.