Hoti: Qeveria emëroi anëtaren e Bordit të OSHP-së pa konkurs publik

Aktuale

Hoti: Qeveria emëroi anëtaren e Bordit të OSHP-së pa konkurs publik

Më: 30 prill 2024 Në ora: 10:06
Avdullah Hoti

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimet që lidhen me prokurimin si dhe emërimin e një anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes.

Reagimi i Hotit:

Tenderimet publike: Qeveria emëron anëtaren e Bordit të OSHP-së pa konkurs publik

Në vendimet që lidhen me prokurimin, Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes. Siç raportohet nga tri organizata të shoqërisë civile, Qeveria e ka emëruar një anëtare të Bordit të OSHP-së pa konkurs të hapur. Kuvendi e ka miratuar këtë pa asnjë kundërshtim, siç është bërë praktikë.

Disa qeveri me radhë kishin nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Britanike, ku bordet dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura përzgjidheshin përmes konkursit publik, pavarësisht se si definohej me ligj. Kjo praktikë e mirë kishte për qëllim zgjedhjen e profesionistëve në këto institucione vitale të shtetit.

Kjo praktikë u hodh poshtë pa asnjë hezitim nga qeveria që " promovon transparencën dhe drejtësinë"!!!

E vërteta është se: (i) tenderët njëburimorë, (ii) pagesa e avanceve për shpenzime kapitale dhe (iii) mbyllja për publikun e procedurave të prokurimit janë tri problemet kryesore në prokurim gjatë mandatit të kësaj qeverie. Këto probleme potencialisht mund të kushtojnë miliona euro për buxhetin e Kosovës.

Unë pres që Zyra Kombëtare e Auditimit t'i auditojë në detaje të gjitha këto raste dhe t'i prezantojë të gjeturat në raportet audituese për 2023, të cilat duhet të publikohen së shpejti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat