Krasniqi: Mbi gjakun e çlirimtarëve qëndron shteti ynë

Aktuale

Krasniqi: Mbi gjakun e çlirimtarëve qëndron shteti ynë

Më: 30 prill 2024 Në ora: 18:17
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe pranë shtatores së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra në 25 vjetorin e rënies. “Kur thirrja për liri jehoi nëpër luginat dhe malet e atdheut tonë, ndër të parat ngrohu edhe zemrën heroit Ilaz Kodra”, kështu shkroi Krasniqi.

“Ilazi ishte ndër të parët shokë të komandantit legjendar Adem Jashari, që bashkë u bënë vëllezër të pushkës dhe besës, sepse vetëm një vdekje dhe një fjalë e mirë – tjetër nuk ka në këtë jetë. Udhëhiqeshin nga guximi, sepse, vetëm ai ua garantonte edhe të tjerat: veprimin, luftën, lirinë – të ardhmen e dëshiruar për popullin e tyre”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, ky guxim i bëri bashkë në fillet e organizimit çlirimtar, në themelimin e UÇK-së, në luftën e shenjtë për liri, e nuk i ndau as në përjetësi, “si shtylla të ditëve të bardha të Kosovës”.

Krasniqi në nderim të përjetshëm të dëshmorëve dhe martirëve, bëri homazhe edhe në fshatrat e Drenasit, në Vërbovc, Shtuticë, Lagjen Gashani në Tërstenik dhe në Gllobar.

“Fundi i prillit të vitit 1999, ku ranë dëshmorë mbi 40 luftëtarë dhe u martirizuan mbi 270 qytetarë, shënon një tjetër ditë, sa të rëndë aq edhe krenare, për gjithë trevën e Drenicës. Përvjetorët e dëshmorëve dhe martirëve tanë, mbi gjakun e të  cilëve qëndron shteti ynë, janë testamenti i përhershëm që na rikujtojnë çdo vit sakrificën e madhe të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat