Detaje nga seanca ku Qëndrim Januzi u dënua me 17 vite burg për vrasjen në Ferizaj

Aktuale

Detaje nga seanca ku Qëndrim Januzi u dënua me 17 vite burg për vrasjen në Ferizaj

Më: 30 prill 2024 Në ora: 19:45
Pamje nga gjykata

Siguria  në Gjykatën Themelore në Ferizaj të mërkurën ishte e lartë.

Pasi aty u kumtua vendimi i një rasti që pati tronditur Ferizajn, pranverën e vitit 2022, kur 30 vjeçari, Gazmend Hyseni mbeti i vrarë nga plumbat që u shkrepën prej armës së zjarrit në drejtim të tij.

E ai që kreu këtë akt, Qëndrim Januzi u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit të pranishëm nuk ishte i akuzuari Januzi, mirëpo as familjarët e tij e as të palës së dëmtuar.

“Për veprën penale “Vrasje”, Januzi u dënua me 16 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit e 6 muaj burgim. Të akuzuarit i shqipton dënimi burgimi prej 17 vjet”, tha gjyqtari Habib Zeqiri.

Por, në këtë aktgjykim, 30 vjecarit Januzi i është rikualifikuar vepra.

“Trupi gjykues me rastin e vendosjes sipas detyrës zyrtare ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në veprën penale të vrasjes”, u shpreh Zeqiri.

Ndërkaq avokati i familjes së viktimës, Bekim Sylejmani ka thënë se ndaj këtij vendimi do të ushtrojnë ankesë në shkallën e dytë.

“Jam i pakënaqur me rikualifikimin që ka bërë gjykata në këtë fazë të procedurës dhe me lartësinë e dënimit duke marrë parasysh që e ka pasë kryesi i veprës penale, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është kryer dhe pasojat që ka shkaktuar”, tha ai.

Edhe pas rikualifikimit të veprës, nuk janë ndarë të kënaqur mbrojtja e të akuzuarit.

“Mbrojtja përsëri konsideron se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vrasje të rëndomtë por vrasje në tronditje të fortë mendore prandaj mbi këto baza mbrojtja do të ushtrojë ankesë për të gjitha bazat ankimore”, tha Florin Vërtopi, avokat i Qëndrim Jonuzit.

Sipas aktakuzës, më 28 maj 2022 pas mesnate në Ferizaj, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta duke shtënë me armë zjarri 6 herë mbi të ndjerin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat