Haxhiu: Asociacioni i Kurtit do të jetë ‘Zajednicë’

Aktuale

Haxhiu: Asociacioni i Kurtit do të jetë ‘Zajednicë’

Më: 30 prill 2024 Në ora: 23:51
Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pretendon se me statutin e Asociacionit dhe bazuar në kompetencat e saj, do të ketë një ‘Zajednicë’ në Kosovë.

Madje, Haxhiu tha se Bashkësia Ndërkombëtare nuk e sheh aspak si partner serioz kryeministrin Albin Kurti, teksa shtoi se të gjitha kushtëzimet e vëna karshi Kosovës, kanë ardhur si pasojë i “qëndrimeve dhe manipulimeve” të kryeministrit.

Po ashtu, deputeti i PDK-së, përmendi edhe fillimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se pikërisht në atë kohë, Kurti është tallur me partnerët ndërkombëtar, raporton teve1.info.

“Me statutin e Asociacionit apo me statutin e Zajednicës, sepse në bazë të kompetencave të cilat jepen me atë statut dhe i cili është publikuar, shihet që vërtetë do të kemi një pushtet të ri në Kosovë, një Zajednicë. Iu kujtohet qysh në fillim të vitit 2021 kur kërkonin që të fillonte procesi i dialogut dhe dialogu të jetë me Serbinë me marrëveshje përfundimtare, e me njohje reciproke. Pikërisht kryeministri në atë periudhë kohore tallej me partnerët ndërkombëtar, duke u thënë që dialogu është partneri i shtatë ose i tetë i qeverisjes së tij. Ajo kërkesë e partnerëve ndërkombëtar për shkak të qëndrimit të Kurtit ka lëvizur, prandaj kemi pasur planin franko-gjerman, e kërkesën e tyre për targat. Kanë dëmtuar interesat madhore të Kosovës duke e humbur kjo Qeveri hap pas hapi në vazhdimësi besimin e partnerëve strategjik të Kosovës dhe këto kushtëzime tani janë për faj të Albin Kurtit dhe të askujt tjetër, sepse nuk i besojnë dhe ky kushtëzim është për shkak të qëndrimeve të tij dhe manipulimeve të cilat i ka bërë. Prandaj, Bashkësia Ndërkombëtare nuk e sheh partner serioz Albin Kurtin”, potencoi Haxhiu në Tëvë1.

Ndër të tjerash, Haxhiu tha se asnjë qeveri më herët s’ka qenë më jo transparente në raport të bisedimeve me Serbinë në Bruksel, se sa qeverisja aktuale.

Kurse, i pyetur se a po rrezikohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, Haxhiu vlerësoi që Kosova është futur në një pozicion jashtëzakonisht të pafavorshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat