Ramosaj kujton Kuvendin “Verrat e Llukës”: Përgjithmonë mirënjohës

Aktuale

Ramosaj kujton Kuvendin “Verrat e Llukës”: Përgjithmonë mirënjohës

Më: 1 maj 2024 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kujtuar sot Kuvendin madhështor të pajtimit të gjaqeve të para 34 vjetëve në Llukë të Epërme të kësaj komune.

Ramosaj ka shkruar në Facebook se më 1 maj 1990, Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”, ishte tubimi më i madh në historinë tonë, ku qindra mijëra pjesëmarrës, u bënë dëshmitarë të bashkimit të shqiptarëve.

“Sot në këtë 34 vjetor, kujtojmë dhe nderojmë me respekt gjithë ata burra e gra, djem e vajza, intelektual e patriot, studentët e asaj kohe, klerët fetarë, profesorët e atdhetarët tjerë, të prirë nga burri i urtë, i menqur, prof. Anton Çetta, bashkë me prof. Zekria Cana e veprimtarë të tjerë, që i prinë kësaj lëvizje mbarëkombëtare të pajtimit të popullit tonë. Përgjithmonë mirënjohës kontributit të lëvizjeve kombëtare për liri e bashkim! Përgjithmonë mirënjohës atyre që dhanë jetën për idealet kombëtare”, ka shkruar Ramosaj.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milionë shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumbardhë të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat