Koci: Në Perëndim ka mospajtime sa i përket qasjes ndaj Serbisë

Aktuale

Koci: Në Perëndim ka mospajtime sa i përket qasjes ndaj Serbisë

Më: 1 maj 2024 Në ora: 18:11
Melazim Koci.

Është një dështim spektakular i Perëndimit në raport me Serbinë, kështu ka vlerësuar politologu Melazim Koci.

Koci ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj politikës së perëndimit në lidhje me Serbinë, teksa ka komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka akuzuar Gjermaninë për një fushatë të ashpër për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai ka theksuar se është e pamundur që agjencitë sekrete perëndimore të mos e dinin situatën në Serbi.

Po ashtu, Koci ka thënë se ka mospajtime në Perëndim në qasjen ndaj Serbisë dhe Ballkanit.

“A është e mundur që perëndimi të mos ketë pasur informacione, mos të ketë pasur parashikueshmëri të asaj çfarë mund të ndodhte, unë mendoj se kjo nuk është sepse është e pamundur me gjitha ato shërbime sekrete të tyre mos ta dinin”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se ka një dështim politik që daton që nga zgjedhja e Vuçiqit si kryeministër në vitin 2014, kur është premtuar që Gjermania do të ndihmonte Serbinë të shkëpuste lidhjet me Rusinë.

Megjithatë, ai vlerëson se investimet gjermane në Serbi nuk kanë sjellë rezultate politike, duke e cilësuar situatën si “zero” në këtë drejtim.

“Mendoj se ka të bëjë me diçka tjerët me dy çështje, në perëndim siç duket ka mospajtime në qasjen në raport me Serbinë dhe gjithë Ballkanin dhe e dyta është dështim politik dhe për ta shpjeguar duhet të kthehemi te viti 2014, kur Vuçiq është zgjedhur për herë të parë kryeministër. Pas zgjedhjes së tij në perëndim është krijuar në koncesuz që Gjermania të marrë mandatin për të tërhequr Serbinë nga sfera e Rusisë, është zgjedhur Gjermania edhe për faktin se në Serbi aty ka pasur një qëndrim antiamerikan dhe antibritanik për shkak të bombardimeve. Dhe Gjermania ka investuar shumë në Serbi, ka hapur 80 mijë vende të punës, ka derdhur qindra miliona dhe rezultati sot është zero, pra në rrafshin politik është zero. Sepse pesë pikat që janë synuar të gjitha kanë dështuar”, ka deklaruar Koci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat