Azemi pas protestës së 1 majit: S’kam pritur dhe nuk pres përgjigje nga Qeveria

Aktuale

Azemi pas protestës së 1 majit: S’kam pritur dhe nuk pres përgjigje nga Qeveria

Më: 1 maj 2024 Në ora: 18:43
Jusuf Azemi

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), ka mbajtur sot protestë me kërkesa ndaj Qeverisë në ditën e punëtorëve.

Megjithatë, kryetari i Sindikatës së sektorit privat në Kosovë, Jusuf Azemi, tha se krahas protestës, përsëri s’ka pritur të ketë ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria apo institucionet përkatëse.

I pyetur se a pritet ndonjë takim apo komunikim me dikë nga Qeveria, Azemi tha se kësaj radhe nuk i kanë njoftuar fare për protestën e mbajtur sot, e madje as s’kanë kërkuar të takohen me ta.

“A morëm përgjigje? Realisht s’kam pritur përgjigje, as nesër nuk pres përgjigje, sepse ne kemi pritur përgjigje më shumë se tre vite e gjysmë dhe s’ka pasur asgjë nga institucionet shtetërore. Po vazhdon avazi i kolegëve të mëhershëm të kryeministrit. Ne në fakt s’do të presim e s’do të kërkojmë më. Kësaj radhe, as nuk i kemi njoftuar, e as s’kemi bërë kërkesë që të takohemi me ta, sepse është një diçka e kotë. Qeveria Kurti për sektorin privat s’ka bërë asgjë, përkundrazi jemi bërë ende më keq”, deklaroi Azemi.

Ndër të tjerash, Azemi foli edhe për gjendjen e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, përfshirë këtu ndikimin e liberalizimit të vizave.

“Tanimë, pronarët e kompanive i lusin punëtorët të punojnë, e të nënshkruajnë një kontratë pune. Ne jemi pjesëmarrës në ikjen e punëtorëve, sepse nuk i kemi respektuar në aspektin më minimal që është e mundur. Sot më është konfirmuar se punëtorët e sektorit privat të Kosovës, janë më të shtypurit në rajon”, potencoi Azemi.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sot në protestën e organizuar para Qeverisë, kanë kërkuar ngritjen e pagave, nënshkrimin e aneks Kontratës Kolektive të Arsimit dhe zbatimin e normave të mësimdhënies deri në 18 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat