Miratimi i kodit të sjelljes, me kaq para do të ndëshkohen deputetët në rast sharje e ofendimi

Aktuale

Miratimi i kodit të sjelljes, me kaq para do të ndëshkohen deputetët në rast sharje e ofendimi

Më: 1 maj 2024 Në ora: 19:07
Tringa Dreshaj

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në mbledhjen e së martës ka miratuar Kodin e Sjelljes për deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me miratimin e këtij kodi, Tringa Dreshaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, tregoi se në rast kur deputeti shan ose ofendon, do të ketë një masë ndëshkimi minus 20 deri në 50 përqind të pagës bazë.

Po ashtu, Dreshaj njoftoi se ky kod përmban dy nene, teksa theksoi se në nenin e parë flitet për gjuhën jo parlamentare dhe gjuhën diskriminuese, përfshirë këtu aspektin e ngacmimeve seksuale.

“Kodi përmban dy nene të cilat i qartësojnë këto situata. Neni i parë flet për gjuhën jo parlamentare dhe gjuhën diskriminuese, në të përfshihet edhe aspekti i ngacmimeve seksuale. Mirëpo, në fund të kësaj rregulloreje janë të parapara  masat ndëshkuese, ku neni 26 flet për zbatimin e masave ndëshkuese në raste të caktuara. Shembull, në rastin ku fillimisht deputetit i jepet një vërejtje me shkrim, e njëjta në rast të shkeljes së rëndë, atëherë nëse përsëritet pas vërejtjes me shkrim, atëherë kjo vërejtje i shqiptohet edhe në mënyrë publike, pra shpallet në faqen e Kuvendit, njëherit suspendimi nga pjesëmarrja deri në tri seanca varësisht nga niveli i shkeljes së këtij kodi, suspendimi nga pjesëmarrja në tri mbledhje të komisioneve dhe sanksioni financiar, ky sanksionim përfshin nga 20 deri në 50 përqind të pagës bazë të deputetëve”, deklaroi Dreshaj.

Më tej, Dreshaj bëri të ditur se shkelje të tilla paraprakisht do të vërtetohen nga një komision i cili do të themelohet si një trup brenda Kuvendit.

“Këto shkelje, paraprakisht vërtetohen nga një komision i cili do të themelohet si një trup për brenda Kuvendit. Pas hyrjes në fuqi të këtij kodi, në periudhën 6 mujore, Kuvendi e ka për detyrë ta themelojë komisionin e etikës, i cili komision pastaj do të merret me shkeljet dhe do t’i shqyrtojë bazat e parapara”, shtoi tutje Dreshaj.

Ndërkaq, e pyetur se miratimi i këtij kodi a do të ketë efekt te deputetët, Dreshaj tha se kjo mbetet në vullnetin e tyre se sa do të jenë të gatshëm ta zbatojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat