“I nderuar ...”, ja si e përshëndet kryeparlamentari Konjufca - Sami Lushtakun në seancën për Ilaz Kodrën

Aktuale

“I nderuar ...”, ja si e përshëndet kryeparlamentari Konjufca - Sami Lushtakun në seancën për Ilaz Kodrën

Nga: Bota sot Më: 2 maj 2024 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 12:01 më 02.05.2024
Kuvendi i Kosovës

Gashi: Drenica ishte e fundit që po i bënte rezistencë pushtimit jugosllav

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirë tjerë nga Drenica, ka thënë se Drenica ishte e fundit që po i bënte rezistencë pushtimit të atëhershëm jugosllav.

“Sot po kujtojmë një ngjarje të jashtëzakonshme por mbi të gjitha po e rikujtojmë një histori.

Sot bashkërisht po përkujtojmë Drenicën e cila ishte e fundit që po i bënte rezistencë pushtimit jugosllav.

E fundit në rezistencë kundër pushtim jugosllav me Shaban Polluzhën dhe e para në kryengritje ushtarake me Adem Jasharin.

Pra Drenica me heroizmin e saj është pjesë e pashmangshme e historisë së Kosovës, por jo vetëm kaq, ishte frymëzim që në ditët e para”, u shpreh Gashi.

Deliu-Kodra: Ilaz Kodra ishte sinonim i shpirtit liridashës

Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ilaz Kodra, ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999-të bashkë edhe me 315 dëshmorë dhe martirë të tjerë nga Drenica.

Në nderim të tyre, sot Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne.

Për figurën e heroit foli edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blera Deliu-Kodra.

Ajo tha se Ilaz Kodra, ishte sinonim i shpirtit liridashës.

“Nuk ka më të vlefshme sesa jeta, e nuk ka më të çmueshme se liria. Prandaj për liri do ta jap edhe jetën”, citoi ajo heroin Ilaz Kodra.

Komandanti Ilaz Kodra, ishte një nga luftëtarët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ishte edhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të komandantit legjendar Adem Jashari.

Dy vajzat e komandantit Ilaz Kodra, të pranishme në seancën solemne

Dy vajzat e komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, Sumeja dhe Krenarja, kanë marr pjesë në seancën solemne e cila u mbajt të enjten në nderim të rënies së, Ilaz Kodrës dhe 315 dëshmorëve e martirëve më 30 prill 1999 në Drenicë.

“I nderuar gjeneral”, Konjufca e përshëndet Sami Lushtakun në seancën për Ilaz Kodrën

Një seancë solemne e Kuvendit po mbahet në nderim të Ilaz Kodrës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ra dëshmor para 25 vjetësh.

Krerët e shtetit folën në nderim të Ilaz Kodrës dhe luftës çlirimtare në seancën ku të pranishëm ishin edhe bashkëluftëtarë të Ilaz Kodrës, sikur ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Për dallim prej presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca zgjodhi ta përshëndes edhe Sami Lushtakun.

“E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, i nderuar kryeministër Kurti, e nderuara familje e heroit tonë Ilaz Kodra, të nderuar deputetë, zëvendëskryeministra e ministra të kabinetit qeveritar, të nderuar përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, i nderuar kryetar i Skënderajt, z. Fadil Nura, i nderuari komandant i Zonës Operative të Drenicës, gjeneral Lushtaku”, tha Konjufca në krye të fjalës së tij.

Presidentja, paraprakisht, nuk e përmendi Lushtakun.

“I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, i nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, të nderuar deputetë, e nderuar familje Kodra, të nderuara familje të dëshmorëve e martirëve, të nderuara shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar pjesëmarrës”, tha ajo në nisje të fjalës së saj.

Sami Lushtakun s’e përshëndeti as kryeministri Albin Kurti në fillim të fjalës së tij.

“E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, i nderuari kryetar i Kuvendit të republikës së Kosovës, zoti Glauk Konjufca, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë së Kosovës, të nderuara familje të heronjve të Kosovës, e nderuara familje Kodra, e nderuara familje Bunjaku, e nderuara familje Konushevci, i nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, të nderuar diplomatë e miq ndërkombëtarë, të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare, të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve tona shtetërore, të dashur qytetarë të Kosovës, zonja dhe zotërinj”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë e përmendi Lushtakun vetëm në mesin e emrave të bashkëluftëtarëve të Ilaz Kodrës që i lexoi dhe për të cilët tregoi se “organizuan aksione dhe aktivitete” në luftë.

Kurti për Ilaz Kodrën: Luftëtar i paepur i lirisë

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne në nderim të rënies së Komandatit të UÇK’së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmoreve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ilaz Kodra dhe shokët e tij i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

“Sot me 2 maj 2024, jemi mbledhur në Kuvendin e Kosovës ti përkujtojmë dhe nderojmë 315 dëshmorët dhe martirë të rënë për lirinë e Kosovës para 25 vitesh më 30 prill 1999 në Drenicë, për ta kujtuar luftëtarin e paepur të lirisë, Ilaz Kodrën, bashkëluftëtarin e Adem Jasharit, dhe një nga të parët e grupeve të armatosura që i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit Ushtria Çlirimtare të Kosovës. Po e kujtojmë sot një ditë para ditëlindjes së tij kur ai do të bëhej 58 vjec”, tha Kurti.

Kurti tha se oda e familjes Kodra ishte një nga bazat e hershme të grupeve të armatosura që e rritën dhe e ngritën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“…oda e familjes Kodra u bë një nga bazat e hershme të grupeve të armatosura që e rritën dhe e ngritën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Aty u diskutuan dhe organizuan aksione dhe aktivitete nga Ilaz Kodra, Zenun Kodra, Fadil Kodra, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sahit Jashari, Musa Jashari, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Nuredin Lushtaku, Sami Lushtaku, Fehmi Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Shaban Shala, Gani Koci dhe të tjerë luftëtarë, deklaroi Kurti.

“I përjetshëm do të jetë kujtim për Ilaz Kodrën dhe i nderuar vendi i tij në historinë moderne të Kosovës. Andaj krenohuni me Ilaz Kodrën ju znj.Kimete, bashkëshorte e heroit Ilaz Kodra, vajzat e Ilazit, Sumead he Krenare Kodra, vëllai Avni dhe axha Rexhep Kodra”, tha Kurti.

Konjufca: Lufta e Ilaz Kodrës do të jetë frymëzim për ushtrinë tonë që ta mbrojë Kosovën kurdo që ka nevojë

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmoreve e martirëve të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca në fjalën e tij tha se e nderojnë figurën emblematike të UÇK-së, Ilaz Kodra, në 25 vjetorin e rënies së tij heroike.

Ai tha se Kodra i përket bërthamës themeluese të kësaj ushtrie të lavdishme në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.

“I rritur e i formësuar në frymën kombëtare e patriotike që në rininë e tij, Ilaz Kodra s’kishte asnjë iluzion se Kosova mund të çlirohej pa luftë të armatosur, prandaj pikërisht për këtë arsye u bashkua me Adem Jasharin, Hamzë Jasharin, Zahir Pajazitin e të tjerë në njësitin e parë ushtarak që ishte bërthama e UÇK-së. Ky grup patriotësh që i përkasin kronikës më të lavdishme të historisë sonë e panë të parët lirinë e Kosovës, prandaj sakrifikuan çdo gjë që populli ta shohë e gëzojë i gjithë populli ynë. Sot u falemi me nderim që e dhanë jetën dhe sakrifikuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia”.

Konjufca tha se Ilaz Kodra ra në mbrojtje të popullatës civile e cila po sulmohej në të gjitha anët nëpër fshatrat e Drenicës.

“Si një nga shokët e pandarë të Adem Jasharit pas rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit me 22 shtator 1998, u caktua edhe komandant i Brigadës 114 që tashmë mbante emrin “Fehmi Lladrovci”, i cili pastaj edhe në luftë do të njihej për organizimin e zonës dhe të të gjithave aksioneve kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Pothuajse nuk kishte betejë në Drenicë e rrethinë ku Ilaz Kodra nuk kishte marrë pjesë”.

Konjufca tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është “kapitulli më i ndritur i historisë sonë të shekullit XX, ndërsa Drenica i dha historisë heronjtë dhe dëshmorët – jeta dhe vepra e të cilëve është frymëzim për ne dhe brezat që do t’i lëmë pas”.

“Ashtu siç rezistenca e mëhershme e Tahir dhe Nebih Mehës kishte frymëzuar këta luftëtarë të Drenicës për ta nisur luftën çlirimtare e për të themeluar UÇK-në ashtu edhe lufta e familjes Jashari, Kodra e Lushtaku do të jetë frymëzim për ushtrinë tonë që do ta mbrojë Kosovën kurdo që të ketë nevojë”.

Osmani: Ilaz Kodra ishte dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë, ka thënë se komandanti Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.

Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.

“Përballë regjimit kriminal të Serbisë Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha ajo.

“Heroi Ilaz Kodra, ndoqi idealin e komandantit Adem Jashari, duke e konsideruar lirinë si të pa negociueshme dhe sublime të popullit të tij ndaj edhe u përjetësuar. Ilaz kodra ashtu siç e nisi aktivitetin e tij patriotik edhe e përfundoji duke mbrojtur dinjitetin dhe identitetin tonë kombëtar. Kauza e tij ishte liria, andaj ai ra për liri dhe shtet. Ilazi nuk u kthye ne shtëpinë e tij por Kosova e lirë dhe e pavarur mbeti shtëpia e tij e përjetshme. Heronjtë janë më shumë se sa shtatore në bronze, ata janë kujtesa jone e përhershme, janë themeli mbi të cilin është krijuar shteti jonë”, ka thënë ajo.

Nis seanca në nderim të rënies së komandantit Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve në Drenicë

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Ne këtë seancë të pranishëm janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, familjarë të komandantit Kodra, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku.

Seanca ka filluar me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar.

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në nderim të Ilaz Kodrës

Kuvendi i Kosovës sot do t’i zhvilloj dy seanca. Në seancën e parë nderon heroin Ilaz Kodra dhe 315 dëshmoreve e martirëve, ndërsa seanca e dytë do të debatohet për gjetjet e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe në rend dite është edhe votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në 25 vjetorin e rënies, Kuvendi i Kosovës  mbanë seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmoreve e martirëve. Ata ranë në latarin e lirisë më 30 prill 1999 në Drenicë. Kjo seancë është planifikuar të fillon në orën 10:00.

Gjithashtu Kuvendi i Kosovës në orën 11:00 do të mbajë seancën plenare për shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe në rend dite është edhe votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat