“I vogël je ti”/ Akuza e tone të larta në Kuvend, opozita “përplaset” me pozitën për raportin e DASH-it

Aktuale

“I vogël je ti”/ Akuza e tone të larta në Kuvend, opozita “përplaset” me pozitën për raportin e DASH-it

Nga: Bota sot Më: 2 maj 2024 Në ora: 12:12 Përditësuar në ora: 20:14 më 02.05.2024
Foto nga senaca e Kuvendit të Kosovës

​Raporti i DASH, Kuvendi nuk ka kuorum për projektrezolutën e opozitës

Projektrezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është hedhur në votim për mungesë të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve të pranishëm në seancën plenare.

Projektrezoluta u lexua nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili tha se ky dokument obligon Qeverinë Kurti që brenda 30 ditëve të hartojë një plan konkret për adresimin e gjetjeve të raportit të DASH-it, të përmbajë veprime konkrete për secilën gjetje të raportit dhe Qeveria brenda afateve të raportojë në Kuvend për implementimin e këtyre masave.

Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci nuk e ka hedhur projektrezolutën në votim për mungesë kuorumi, duke thënë se pikat e mbetura të rendit të ditës do t’i dërgohen Kryesisë së Kuvendit, e cila do të vendosë për seancën e radhës.

Më 22 prill, DASH-i publikoi raportin për Kosovën, ku ndër tjera problemet me pavarësi të gjyqësorit dhe kufizimet në liri të mediave ishin shqetësimet kryesore. Në raport thuhet se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

Pozita e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se raporti ka lëshime dhe pasaktësi, pasi sipas saj, raporti ndër vite ka treguar për probleme të funksionimit të drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje krahasoi përmbajtjet e raporteve të mëparshme dhe për vitin e kaluar, ku tha se pushteti ka probleme të trashëguara.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se raporti i DASH-it tregon për nivelin e lartë të korrupsionit dhe se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaroi se raporti ka rrënuar propagandën e pushtetit për luftim të korrupsionit dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “vulosur se Qeveria Kurti janë hajna të certifikuar”. Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë Kurti për korrupsion duke thënë se “pesë ministra janë nën korrupsion”.

Partia Demokratike propozoi debatin për të gjeturat e DASH-it, pasi ky raport është shqetësues për Kosovën. Një kërkesë të tillë e patën edhe nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. 

Rrustemi, opozitës: Këta kanë hyrë të varfër e sot janë bërë milionerë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se opozita e vendit po mundohet që Qeverinë Kurti ta paraqesë si ekzekutiv i cili vjedh.

“Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për t’u mbrojtur dhe aq më tepër për ta mbrojtur ne, deputetët.

Aq më tepër para këtyre hajnave klasik e hajnave tipik që kanë vjedhur e plaçkitur këtë vend për vite të tëra”.

“Këta kanë hyrë të varfër e sot janë bërë milionerë nga shfrytëzimi i pasurisë publike.

Këta po përpiqen që Lëvizjes Vetëvendosje t’i mveshin tiparet që i kanë ata, populli i njeh dhe do t’i ndëshkoj ashtu siç i ka ndëshkuar”, ka thënë Rrustemi. 

Haxhiu: Korrupsioni ka emër dhe ai është Albin Kurti e Qeveria e tij

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka qenë kritik ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai ka theksuar se këta deputetë janë duke e mbrojtur Qeverinë Kurti nga akuzat që janë ngritur në raportin e DASh-it për ekzekutivin.

“Kë dëshironi të mbroni, këta veten nuk kanë ardhur ta mbrojnë sot. Korrupsioni ka emër dhe ai është Albin Kurti dhe Qeveria e tij”.

“Kurti bashkë me Qeverinë e tij u larguan menjëherë kur e kuptuan se do të diskutohet sot për Raportin e DASh-it mbi korrupsionin”, ka thënë Haxhiu. 

Përplasja ka vazhduar edhe në momentin kur fjalën e ka marr deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi. Afër saj u dëgjua deputeti Bekim Haxhiu duke u përplasur me njërin prej deputetëve të LVV-së, të cilit i thoshte: "I vogël je".

Selmanaj: Kryeministri Kurti involvohet në secilin skandal, korrupsioni e Qeveria këmbëkryq bashkë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës në seancën ku po diskutohet për raportin e DASH-it, raport i cili ka adresuar vërejtje serioze për Qeverinë e Kosovës sa i përket korrupsionit, sundimit të ligjit e çështje të tjera.

Selmanaj ka thënë se Qeveria Kurti dhe korrupsioni janë ulur këmbëkryq bashkë.

“Kjo Qeveri dhe korrupsioni janë këmbëkryq bashkë”, ka thënë ai.

Tutje deputeti i LDK ka thënë se si parti e kanë pritur një raport të tillë të DASH-it sepse aferat e Qeverisë Kurti kanë qenë megaskandale.

“Për ne si LDk ka qenë e pritur sepse aferat e kësaj qeverie janë të nivelit shumë të lartë. Secili rast megaskandal në vete”, ka shtuar tutje.

Selmanaj ka thënë se në secilin skandal është i involvuar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Cka e bën më shqetësues, është se për të gjitha këto çështje, kryeministri Kurti involvohet. Dy raste ku kanë sinjalizues të qartë, në rastin e rezervave shtetërore dhe rastin e ambalazhuesve të ujit, dy njerëz që kanë tregu integritet moral dhe patriotik për të mbrojt këtë vend I keni suspendu nga puna”, ka potencuar ai.

Shala tenton t’ia ndal fjalën Kusari-Lilës, ndërhyn Zyba – nënkryetarja e thirr sigurimin e Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka tentuar t’ia ndal fjalën Mimoza Kusari-Lilës, shefes së GP të LVV-së si shenjë revolte se nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, nuk i ka dhënë atij fjalën.

Në këtë moment te foltorja e Kuvendit ka shkuar edhe deputeti i VV-së, Sali Zyba.

Bogujevci u ka bërë thirrje të dyve që të shkojnë në vendet e tyre, por asnjëri nga ata s’e ka dëgjuar.

Kështu Bogujevci u detyrua ta thërras sigurimin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo e revoltuar ka thënë se nuk do t’i tolerojë burrat e Kuvendit që secilën seancë ti tregojnë asaj se si udhëhiqen punimet e Kuvendit.

Zemaj: Dubrava 14 kat, thoshit, por asnjëherë s’është mbushur si me zyrtarë të LVV-së

Deputeti Armend Zemaj foli në emër të LDK-së në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për vendin.

Zemaj tha se Qeverinë e kanë karakterizuar skandale të shumta, ndërsa theksoi se raporti e evidenton korrupsionin si problem të madh.

“Dubrava 14 kat, thoshit, por si duket asnjëherë s’ka pasë gjasa të mbushet me zyrtarë qeveritarë më shumë sesa të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Zemaj ndër tjerash.

Murati rreth raportit të DASH-it: Ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se fjala korrupsion në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023 është përmendur 12 herë, ndërsa në vitin 2019 fjala korrupsion është përmendur 24 herë.

Sipas tij, ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri.

Ai tha se ky raport është ndikuar dhe ka rënë pre e dezinformatave të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile që sipas tij, janë pjesë e gardës së vjetër.

“Në vitin 2023 fjala korrupsion në raportin e DASH-it përmendet 12 herë. Në vitin 2019 ka qenë 24 herë e përmendur, sipas raportit të DASH-it në suaza kuantitative ka përgjysmim së paku. Dhe ne e mirëpresim këtë vlerësim që së paku ka përgjysmim të korrupsionit. Nëse hymë në cilësi dhe shohim se çka shkruan aty, e shohim se edhe vet raportuesi apo kushdo që e ka hartuar raportin, ka ra pre edhe e dezinformatave të mediave të cilat pra edhe janë pjesë e gardës së vjetër dhe disa organizatave të shoqërisë civile të cilat thirren të tilla por në fakt janë zgjatime të gardës së vjetër”, ka thënë ai.

Tahiri: Qeveria e Kurtit ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit

Shefi i GP të AAK-së Besnik Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit ku u fol për shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit.

“Sot në trajtim të kësaj seance po e trajtojmë një raport i cili vjen nga një vend mik, që vjen nga DASH-i një institucion që përgjatë viteve prodhon raporte të ngjashme. Tani çka duhet ti themi sot qytetarëve të Kosovës e çka duhet ti themi anëtarëve të kësaj Qeverie.

Jemi në muajt e fundit të një mandati 4 vjeçar dhe ajo çka mund të them është se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit. Mendësia e një degradimi kurrë nuk mundet me u pa nga ata që janë pjesë e saj.

Madhësia e dështimit e ka emrin autoritarizëm, pra në vend të dritës i tërë kabineti qeveritar është e rrethuar me terrin e arbitraritetin dhe arrogancën për këto tri vite”, ka thënë Tahiri.

Zemaj e quan VV-në “hajna të certifikuar”: Vjedhin në bukë e grurë të rezervave shtetërore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka quajtur mazhorancën hajna të certifikuar, teksa ka folur në seancën plenare ku po diskutohet raporti i Departamentit amerikan të Shtetit.

Zemaj ka deklaruar se ato gjetje janë adresuar disa herë nga LDK-ja dhe se nuk janë marrë përbazë asnjëherë.

“Raporti i DASH shihet qartë që rrënoi për tokë një propagandë të shumicës ‘se kemi luftuar korrupsionin’. Në fakt ju po i luftoni ata që po e luftojnë vërtet korrupsionin.

Tani kur e kemi raportin e DASh-it i cili veç se ka konfirmua secilin shqetësim tonin si LDK tani me vulën e SHBA-ve jeni hajna të certifikuar. Sepse qeveri juaja që erdhi në pushte për ta luftuar korrupsionin por emërtohet korrupsion serioz qeveritar. Kjo nuk mund të ishte ndryshe kur vjedhin në bukë e grurë të rezervave shtetërore”, ka thënë ai.

Kusari-Lila i kundërpërgjigjet Tahirit: Raporti i DASH-it ka lëshime dhe pasaktësi

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, i publikuar ditë më parë, ka lëshime dhe pasaktësi.

Ajo i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, pasi ky tha në seancën ku po diskutohet mbi raportin se një e treta e ministrave janë nën hetime për korrupsion e se kjo situatë kërkon zgjedhje të menjëhershme.

“Bazuar në numrin e madh të kallëzimeve penale nuk flitet për ngritje të aktakuzave sepse nuk ka të tilla. Sa i përket dy dënimeve me emër që janë për ministren dhe zv kemi të bëjmë me fjalën vonim të deklarimit të pasurisë. Raporti i DASH-it nuk e bën ndarjen cilësore të akterëve për të cilët AGK tregon që kanë sulmuar gazetarët.

 Një element shqetësues mbetet siguria e grave dhe parandalimi i vrasjeve. Raportet në vazhdimësi i referohen dënimeve të ulëta apo dështimeve të gjyqësorit. Për këtë arsye vettingu duhet të jetë prioritet. Fatkeqësisht raporti ka lëshime dhe pasaktësi. Pasaktësi ka te numri i grave në pozita udhëheqëse”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat