Prokurorët do të kërkojnë paraburgim për secilin rast të dhunës në familje, ku ka bazë ligjore

Aktuale

Prokurorët do të kërkojnë paraburgim për secilin rast të dhunës në familje, ku ka bazë ligjore

Më: 2 maj 2024 Në ora: 17:16
Prokurorët

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në takimin e ftuar nga prokurorja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina, njëkohësisht koordinatore për rastet e dhunës në familje, së bashku me prokurorët-koordinatorë për rastet e dhunës në familje nga të gjitha prokuroritë themelore në vend.

Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët në punën përditshme lidhur më trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe nevojën për të bërë tejkalimin e këtyre sfidave.

“Pas diskutimeve të përbashkëta, e me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kryerjes së këtyre veprave penale u nxorën edhe konkluzionet që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Po ashtu konkluzion edhe i këtij takimi ishte që me qëllim të krijimit të kushteve për realizim të mandatit të Prokurorit të Shtetit për hetimin e këtyre veprave penale tu adresohen kërkesat institucioneve tjera për: shtimin e mjeteve buxhetore sa i përket shtimit të numrit të mbrojtësve të viktimave; shtimin e strehimoreve për vendosjen e viktimave, rritjen e kapaciteteve në Agjencinë për Forenzikë të Kosovës, si dhe shtimin e kapaciteteve në Institutin për Forenzikë Psikiatrike.

Në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, për rastet e dhunës në familje, janë të caktuar koordinatorë nga radhët e prokurorëve, të cilët merren ekskluzivisht me këto raste dhe të cilët vazhdojnë me përkushtim dhe me urgjencë të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat