Dëshmitari thotë se të akuzuarin Bajroviq e ka parë me uniformë policore kur i kishin dëbuar nga shtëpitë

Aktuale

Dëshmitari thotë se të akuzuarin Bajroviq e ka parë me uniformë policore kur i kishin dëbuar nga shtëpitë

Më: 2 maj 2024 Në ora: 17:32
Ekrem Bajroviq

Në rastin ku Ekrem Bajroviq po akuzohet për krime lufte, dëshmitari Riza Mavraj, i propozuar nga Prokuroria deklaroi se e kishte parë edhe të akuzuarin Bajroviq me uniformë policore dhe me armë automatike, mirëpo se nuk e kishte parë ndonjë veprim të tij.

Këto deklarime, dëshmitari Mavraj i bëri gjatë dhënies së dëshmisë së tij, në pyetjet e prokurorit Ilir Morina.

Fillimisht, ai tha se në paraditen e 8 majti të vitit 1999, ai dhe e tërë familja e tij 18 anëtarshe ishin dëbuar nga shtëpia.

Tutje, Mavraj deklaroi se Policia dhe forcat paramilitare i kishin ndalë në fshatin Zallc, ku edhe i kishin ndarë nga familjet, e që sipas tij kanë qenë me tepër se 100 persona, duke shtuar se pas ndaljes ua kishin marrë të gjitha dokumentet.

“Edhe aty më kujtohet fort mirë që 94 persona kemi qenë të ngarkum me një kamion, bartës transportues, qysh me i thanë. Ka qenë i hapur, jo i mbyllur. Dhe kjo ka qenë me urdhër të komandantit në Gjurakoc, që emri nuk më kujtohet, por mbiemrin e ka pas Stojkovic”, shtoi tutje Mavraj, shkruan Betimit për Drejtësi.

Ai tha se me atë kamion i kanë bartur deri në fshatin Gjurakoc, ku sipas tij më pas që të gjithë i kanë futur në një podrum me hapësirë 3 me 4 metra.

Për këtë podrum, Mavraj tha se ai kishte qenë si burg në kohën e atëhershme.

“Si të them, ai ka qenë si si burg. Përpara i kanë thanë si burg i Gjurakocit. Ka qenë pjesë e burgut të Dubravës. Kur kemi hy aty e di që u kanë mramje. Momentin që kemi hy në podrum, atëherë kanë fillu kah 2 kah 1 kah 3 me na qit prej podrumit, për me dhanë deklaratë kush je, tek je”, deklaroi ai.

Mavraj tha se tregoi se i kishin ndodhur gjërat më të vështira që i kishte përjetuar.

“Aty ka ndodh gjëra më e vështirë në jetë që e kam përjetu personalisht, por edhe të tjerët që kanë përjetu. Dhunë psiqike fizike, sa që shtazët e egra nuk keqtrajtohet në atë mënyrë, me”, shtoi ai.

Po ashtu tha se aty e kishin rrahur deri në alivanosje pasi që e kishin marrë në pyetje.

“Sa që pak kur më ka dal vetëdija e di që jam kanë në podrum, në prehën të dikujt që më kanë mbajt. S’ke pas mundësi të shtrihesh, për shkak të hapësirës”, shtoi Mavraj.

Sipas tij, aty kishin qëndruar tre net dhe se pas këtyre tri netëve ua kishin sjellë nga një vezë dhe një pjesë të bukës dhe se për këto tri ditë nuk i kishin lejuar as që të pinë ujë, e që edhe nevojat fiziologjike ishte dashur t’i kryejnë në atë podrum.

Nga ty, Mavraj deklaroi se i kishin dërguar në Burgun e Pejës.

Kurse për B.M., Mavraj tha se e kishin vrarë në ditën kur i kishin dëbuar nga shtëpitë dhe se kishte dëgjuar se të njëjtit i ishte prerë koka.

Ndërsa, për babain e B.M., ai tha se është i vrarë aty dhe ishte zhdukur, pasi sipas tij atë e kishin parë me sytë e tyre, i biri A.M dhe djali i axhës së tij Sh.M., dhe se kur kishin shkuar për të kërkuar kufomën nuk kishin arritur ta gjenin.

Ndërkaq, për I.M., ai tha se e kanë djegur në shtëpi, po të të njëjtën ditë.

Kurse, për vrasjen e 15 personave në Staradran, Mavraj tha se vetëm kishte dëgjuar për atë rast dhe nuk kishte qenë prezent, por shtoi se ajo ka ndodhur.

E për të akuzuarin Bajroviq, ai tha se nuk e kishte njohur para lufte, mirëpo se e kishte njohur nga fotografitë menjëherë pasi kishte kuptuar nga mediat se i njëjti është arrestuar.

Nga këto ngjarje, Mavraj tha se përveç Stojkovic e kishte parë edhe të akuzuarin Bajroviq tek dyqani në fshatin Zallcë, ku i kishin ndaluar dhe pastaj në Gjurakoc kur i kanë zbritur nga kamioni.

Për të njëjtin tha se e ka parë në uniformë policore dhe me armë automatike.

Mirëpo, deklaroi se nuk i kujtohet ta ketë parë atë të sulmoi dikë, ose diçka tjetër në lidhje me të.

Ndryshe, gjatë sesionit të paradites ka qenë e planifikuar të dëgjohen dëshmitarët Ibrahim Shala dhe Naim Tuzi.

Për dëshmitarin Shala, prokurori Morina hoqi dorë nga dëgjimi i tij me arsyetimin se dëshmia e tij është e njëjtë me dëshmitarët e fundit të dëgjuar në këtë çështje penale dhe se tashmë i njëjti sipas tij është jashtë shtetit dhe po del të jetë i paarritshëm për tu siguruar dëgjimi i tij në gjykim.

Kurse, për dëshmitarin Tuzi, gjykatësi Bajraktari tha se meqenëse i njëjti ka konfirmuar pjesëmarrje dhe i njëjti nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij, ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhëresë për tu siguruar dëshmia e të njëjtit.

Sipas aktakuzës së PSRK, të ngritur me 15 shtator 2023, Ekrem Bajrovic po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.

Në këtë aktakuzë, thuhet se i njëjti si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Sipas kësaj aktakuze, me 8 maj 1999, në fshatin Staradran, derisa kolona e popullsisë civile e nacionalitetit shqiptar ishte duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, u ndal nga forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari Bajrovic.

Tutje, thuhet se meshkujt janë ndarë nga pjesa tjetër e grupit, fillimisht ua marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë, e më pastaj të gjithë i vendosin në oborrin e shtëpisë së D.Z. duke i renditur në radhë një nga një, e me duar të ngritura lartë dhe me fytyrë nga muri i oborrit.

Më tej thuhet se të njëjtin janë rrahur me mjete të ndryshme dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, si dhe duke ju thënë  “ku e keni NATO-në, ku e keni UÇK-në”.

Po ashtu, aktakuza thotë se më pas i kanë dërguar një nga një në shtëpinë e Z.S. dhe i kanë pushkatuar të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptar, me ç’rast mbijeton i dëmtuari/dëshmitari Naim Elshani, i cili kishte mbetur i plagosur, kurse 15 të vrarë.

Tutje, aktakuza thotë se me 7 maj 1999 në fshatin Staradran, ka marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të nacionalitetit shqiptar.

Ashtu që fillimisht të dëmtuarit i ndajnë nga kolona e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurakoc në lokalin e Shaban Sylës ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore.

Kurse, aktakuza thotë se me 8 maj 1999 i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakoc, ku kolonës i printe i akuzuari Bajrovic dhe i njëjti e kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut të dëmtuarin Azem Tuzi në anën e djathtë nën brinjë.

Ndërkaq, në fund aktakuza thotë se pas vendosjes në stacionin policor në Gurakoc kanë filluar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht me jetë.

Andaj, sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 22 të Ligjit penal të ish RSFJ”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat