Plagosja e 4 personave në Lupç, Prokuroria me vendim për 5 persona

Aktuale

Plagosja e 4 personave në Lupç, Prokuroria me vendim për 5 persona

Më: 2 maj 2024 Në ora: 22:15
Pamje nga vendi i ngjarjes

Incidenti i armatosur i një ditë më parë, që la të plagosur 4 persona, një ditë më pas ka çuar në ndalim 5.

Kështu thonë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ku bëjnë me dije se dy tashmë gjenden në qendrën e mbajtjes e tre të tjerë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar nën kontrollë të policisë, megjithatë pas shërimit i pret i njejti fat.

“Personi i pestë i dyshuar në këtë rast është shoqëruar, në stacion policor dhe pas veprime procedurale të policisë porokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë. Ndërkohë prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim edhe për 4 persona të tjerë, që kanë qenë në QKUK duke marr trajtim mjekësor, kurse gjatë ditës së sotme, njëri nga të hospitalizuarit, është dërguar në qendrën e mbajtjes, për shkak të përmirësmit të gjendjes”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë në Prishtinë.

2 nga 3 personat që vazhdojnë të marrin trajtim në QKUK kanë problem abdominale, ndërkaq njëri prej tyre vazhdon të jetë në rrezik për jetën.

Ulaj bën me dije se prokuroria ka kryer bastisje edhe gjatë së enjtes, teksa tregon cka është sekuestruar.

“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja, pastaj, gjatë ditës së sotme ka pasur gjithashtu bastisje, në lokacionin ku të dyshuarit jetojnë, janë sekuestruar disa fishekë dhe dy veturat e përfsahira në këtë rast”, tha Ulaj.

Incidente të tilla, sipas avokatit Skënder Musa, po vijnë edhe si rezultat i armëvepa leje, që janë në numër të madh në duart e kosovarëve.

“Numri është jashtëzakonisht i madh dhe shqetësues që është shumë lehtë me gjetë armë dhe me kry vepër penale. Ose tradita e shqiptarëve me mbajt armë edhe në shtëpi, unë besoj që çdo i dyti person ka mundësi të ketë armë. Kështu që numri mund të jetë mbi 500 mijë armë pa leje në duart e qytetarëve. Duke u nisur se kemi shumë raste të të miturve me armë zjarrit, vetëm armë zjarri po flas. Për armë të ftohta është numri ndoshta edhe afër një milionë”, tha Skender Musa, avokat.

Rasti ku të përfshirë ishin anëtarët e dy familjeve, ndodhi rreth orës 15 të së mërkurës, ndërsa prokuroria e ka kualifikuar atë si vrasje në tentativë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat