AGK: Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij

Aktuale

AGK: Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij

Më: 3 maj 2024 Në ora: 08:44
Ilustrim

Publikimi i indeksit vjetor për lirinë e medies nga Reporters sans frontières /Reporters Without Borders/ RSF, Reporterët pa Kufij, ka renditur Kosovën në vendin e 75 në botë.

Kështu ka njoftuar ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), teksa kanë shkruar se Kosova ka shënuar regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve pa Kufij.

“Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij. Publikimi i indeksit vjetor për lirinë e medies nga Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF, Reporterët Pa Kufij e rendit Kosovën në vendin e 75 në botë, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56”, thuhet në postimin e AGK-së.

Po ashtu, organizata më e madhe botërore për lirinë e medies, ka dhënë një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medies në Kosovë.

“Edhe pse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport.

Raporti përmend edhe sulmet fizike në kohën e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe shtimin e padive SLAPP ndaj gazetarëve.

“Edhe pse gazetarët kanë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh cak i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në medie sociale. Ata akuzohen në mënyrë të padrejtë se janë ‘bashkëpunëtorë të armikut’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare”, përfundon raporti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat