Indeksi i Lirisë së Shtypit, reagon Memli Krasniqi

Aktuale

Indeksi i Lirisë së Shtypit, reagon Memli Krasniqi

Më: 3 maj 2024 Në ora: 10:35
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas gjetjeve të Indeksit të Reporterët pa Kufij, ku evidentohet rënia e lirisë së media në Kosovë.

Ai ka bërë me dije se rënie e Kosovës për 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit është lajm i keq.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky është vlerësimi më negativ ndonjëherë që i është bërë Kosovës.

“Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shpreh solidarizimin dhe mbështetjen e plotë me të gjithë gazetarët në Kosovë. Gazetarët, punëtorët e mediave, historikisht kanë mirëmbajtur standarde, integritetit dhe guxim të lartë edhe në kohërat më të errëta të vendit tonë. Prandaj, zhvillimet e fundit në Kosovë, megjithëse në liri, paraqesin një pamje dhe një situatë tejet shqetësuese për median e lirë. Këtë vit, Kosova ka humbur 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në raportin e përpiluar nga organizata “Reporterët Pa Kufij” - vlerësimi më negativ ndonjëherë! Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka vlerësuar se veprimet e pushtetit ndaj medias kërcënojmë parimet themelore të demokracisë.

“Këto veprime të pushtetit janë tregues i një tendence më të madhe, më shqetësuese drejt shtypjes së medias dhe ndërhyrjes politike. Shkelje të tilla kërcënojnë parimet themelore të demokracisë dhe heshtin zërat kritikë që janë të nevojshëm për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë. Gazetarët në Kosovë janë më shumë se vetëm ofrues të lajmeve; ata janë mbrojtës të së vërtetës dhe drejtësisë, shpesh duke vënë në rrezik mirëqenien e tyre. Sigurimi i një ambienti të sigurt, të dinjitetshëm dhe me kushte më të mira të punës për ta duhet të jetë prioritet”, ka shtuar Krasniqi.

I pari i PDK-së ka kërkuar nga qeveria që t`i ndalë sulmet ndaj media, kurse gazetarët ka inkurajua në punën e tyre.

“I bëjë thirrje Qeverisë që të ndërpres cënimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë. Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit. Për gazetarët e Kosovës: ne shohim qëndrueshmërinë dhe përkushtimin tuaj. Puna e juaj është thelbësore - tani më shumë se kurrë - në përpjekjen që të mbajmë ndezur dritën e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit demokratik. Mos u ndalni!”, është shprehur Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat