Zbulohet një rrjet ndërkombëtar mashtrimi përmes call center, preket edhe Kosova

Aktuale

Zbulohet një rrjet ndërkombëtar mashtrimi përmes call center, preket edhe Kosova

Më: 3 maj 2024 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Kemi të bëjmë me një rast të "mashtrimit më të madh me call center-a", deklaruan autoritetet bashkarisht në Shtutgart. Ministri i Brendshëm i Baden-Vyrtembergut, Thomas Strobl tha, se mashtrimi i zbuluar tani me call center-a ka "një përmase, si asnjëherë më parë në Europë."

Sikurse njoftuan Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë e Baden-Vyrtembergut, Zyra e Kriminalistikës së këtij landi (LKA) në Shtutgart, si dhe Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe, në katër vende të Ballkanit Perëndimor dhe në Liban u zbuluan call centera me veprimtari mashtruese.

Në një deklaratë të veçantë Europol njoftoi, se në aksionin ndërkombëtar të policisë të koduar me emërtimin "Pandora" kanë bashkëpunuar nëpunës nga Gjermania, Shqipëria, Bosnja, Kosova dhe Libani. Gjatë kontrolleve në mes të prillit në dymbëdhjetë call-center-ra janë arrestuar 21 persona.

Mashtrim në forma të shumëllojshme

Mashtruesit kanë përdorur një gamë të gjerë mashtrimesh p.sh. duke u paraqitur tek viktimat si të afërm, nëpunës banke, punonjës të qendrave për konsumatorë ose si policë, duke i kërcënuar ato me dënime, ose duke u premtuar fitime përmes transaksioneve bankare.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Bavarisë për mashtrim është përdorur edhe cybertrading. Në këto raste viktimave u kanë mbushur mendjen të blejnë produkte financiare me kriptovalutë duke u premtuar fitime joshëse. Mashtruesit kanë përdorur të tilla platforma nga nëntori 2022 deri në maj 2023. Sipas hetuesve bavarezë vetëm në këtë sektor dëmi i shkaktuar kap vlerën e rreth 220.000 eurove. Por mendohet se ka edhe një numër tjetër të madh rastesh.

Një punonjës i kujdesshëm banke u dha sinjalin hetuesve

Këto hetime u mundësuan, sipas të dhënave të autoriteteve të Baden-Vyrtembergut dhjetorin e kaluar, pasi një punonjës i vëmendshëm banke pengoi një tentativë mashtrimi që do të kishte shkaktuar një dëm prej më shumë se njëqindmijë euro. Numrat e telefonave të mashtruesve u përdorën brenda një kohe të shkurtër për mijëra tentativa të tjera mashtrimi.

Po në të njëjtin muaj LKA e Baden Vyrtemebergut krijoi një grup hetimor, ku u përfshinë edhe autoritetet policore të Bavarisë, Saksonisë dhe Berlinit. Mbi bazën e rezultateve të hetimit nëpunësit arritën të parandalojnë duke njoftuar paraprakisht viktimat e mundshme të mashtrimeve në rreth 6000 raste që mund të kishin arritur shumën e dëmit prej rreth dhjetë milionë euro. Rastet e parandaluara përbëjnë mbi 80 përqind të të gjitha rasteve.

Për këto rezultate kanë ndihmuar që nga dhjetori disa qindra nëpunës, që kanë përgjuar me turne në kohë reale bisedat telefonike të dorasve me viktimat e shpërndara në të gjithë Gjermaninë. Gjithsej janë siguruar mbi 1,3 milionë biseda. Herë pas here janë ndjekur paralelisht deri në 30 biseda, për të parandaluar dëmin. Hetimet ndërkohë vazhdojnë për gjithsej 7500 raste.

Kontrolle njëkohësisht në pesë shtete

Gjatë kontrolleve më 18 prill, sipas këtyre të dhënave, autoritetet ndërkombëtare dhe kombëtare të policisë dhe drejtësisë kanë ndërhyrë njëkohësisht në objektet e këtij rrjeti. Aksionet e koordinuara janë zhvilluar në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe në Liban. Aksionet u koordinuan nga prokuroria e Autoritetit Policor Europian, Europol me seli në Hagë, Holandë. Gjatë kontrolleve hetuesit kanë sekuestruar ndër të tjera para dhe vlera pasurie rreth një milion euro si dhe material elektronik prove, që mund të ndihojë në zbulimin e „të tjera call centera-ve të mundshme dhe mashtruesve të tjerë", vë në dukje Europoli.

Ministri i Brendshëm i Baden-Vyrtembergut Strobl u shpreh i lehtësuar për suksesin e hetuesve: "Aktet penale të mashtrimeve përmes telefonatave janë mjaft perfide dhe pa skrupuj, sepse ato luajnë më frikërat dhe hallet e njerëzve". Politikani kristiandemokrat deklaroi, se kundër "këtyre kriminelëve do të veprohet me të gjithë forcën e konseguencat ligjore"./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat