Zëdhënësi i Qeverisë tregon çka ndikoi për regresin në lirinë e medias

Aktuale

Zëdhënësi i Qeverisë tregon çka ndikoi për regresin në lirinë e medias

Më: 3 maj 2024 Në ora: 14:02
Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka shkruar për raportin e Reporterëve pa Kufij, duke nënkuptuar se ‘regresi lidhet me ngjarjet në veri’.

Sa i përket rastit të Klan Kosovës, ai thotë se ‘media e evidentoi këtë rast’.

Kryeziu shkruan:

Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike.

Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, duket që janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.

E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: “sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova sh.p.k është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim: “Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës”.

Në veri Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë. Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën. Ky nuk është sukses vetëm i institucioneve të sigurisë, por edhe i gazetarëve e gazetareve dhe mediave që përmes raportimeve të tyre të guximshme e shpalosën të vërtetën e ngjarjeve të majit dhe qershorit – duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në mbrojtjen e kushtetutshmërisë.

Sa i përket çështjes së Klan Kosovës sh.p.k, aty është evidentuar një shkelje ligjore. Pas denoncimit publik, Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar. Ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte. Edhe këtu, mediat kanë pasur një rol kyç në denoncimin publik të rastit, duke kontribuar edhe këtu në respektimin e kushtetutshmërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat