Kontributi për lirinë e Kosovës, ceremonia në Ambasadën e SHBA-që nderoi ish-Sekretaren Albright dhe dy ushtarakët Gibbs dhe Reichert

Aktuale

Kontributi për lirinë e Kosovës, ceremonia në Ambasadën e SHBA-që nderoi ish-Sekretaren Albright dhe dy ushtarakët Gibbs dhe Reichert

Më: 3 maj 2024 Në ora: 15:59
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ua ka dedikuar zyrtarisht tre salla konferencash të ambasadës së SHBA-së tre personaliteteve të shquara të cilët kanë kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bëhet fjalë për Ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright dhe dy ish-ushtarakët David Gibbs dhe Kevin Reichert të cilët janë vrarë më 5 maj 1999 derisa po përkrahnin fushatën ushtarake të drejtuar nga NATO.

Në ceremoninë e emërimit të këtyre sallave të mbajtur më 30 prill, ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe anëtarët e familjes Gibbs dhe Reichert, mysafirë të tjerë të nderuar dhe stafi i Ambasadës.

 “Sallat e konferencave njohin kontributin e rëndësishëm të këtyre tre individëve në avancimin e përpjekjeve të qeverisë së SHBA-së për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Përkushtimi i thellë i Sekretares Albright për Kosovën dhe përpjekjet e palodhshme i lejuan popullit kosovar të kthehet në shtëpitë e tij, të rindërtojë jetën e tij dhe të zhvillojë vendin e tij të lirë, të pavarur, multietnik dhe demokratik”, thuhet në njoftim.

Në këtë ceremoni, ambasadori Hovenier pohoi se ishte “i prekur dhe i privilegjuar që u mblodh sot për të nderuar trashëgiminë e tre individëve që kontribuuan ndjeshëm në përpjekjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, së bashku me aleatët, për t’i dhënë fund fushatës së regjimit të Millosheviqit për spastrim etnik në Kosovë 25 vite më parë.”

Ndërsa presidentja Osmani ka thënë se “Me kushtimin e këtyre sallave të konferencave, Departamenti i Shtetit, ambasadori Hovenier dhe stafi i madh në Ambasadën e SHBA-së po bëjnë më shumë sesa thjesht emërtimin e një hapësire. Ata po afirmojnë vlerat dhe virtytet që secili prej këtyre individëve mishëroi në shërbimin e tyre ndaj SHBA-së, Kosovës dhe botës. Dhe kujt tjetër t’i dedikojë këto salla, përveç Sekretares Albright, një kampione e popullit të Kosovës dhe një kampione e demokracisë, si dhe oficerëve kryesorë Gibbs dhe Reichert, të cilët sakrifikuan jetën e tyre gjatë ndërhyrjes së NATO-s për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve të të tjerëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat