Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë, akuzojnë ministrin Murati se nuk po përgjigjet

Aktuale

Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë, akuzojnë ministrin Murati se nuk po përgjigjet

Më: 4 maj 2024 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Protestës së fundit të punëtorëve të organizuar më 1 Maj nuk iu bashkëngjitën, ndonëse pakënaqësitë me paga i kanë të vazhdueshme.

Kërkesat e vazhdueshme të zjarrfikëseve vazhdimisht kanë hasur në “veshët e shurdhër” të Qeverisë së Kosovës.

Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka  ka kërkuar një zgjidhje urgjente nga Ministria e Financave për gjendjen e vështirë financiare të zjarrfikësve.

Ai ka vlerësuar se po shkelët e drejta e punëtorëve me mos plotësimin e kushteve adekuate për punë e sigurime shëndetësore.

“Ne nuk kemi zgjedhur të protestojmë, sepse protestat e 1 Majit nuk janë aspak produktive. Duhet një zgjidhje urgjente dhe një intervenim edhe nga Qeveria e kryeministri që të tejkalohet kjo gjendje e krijuar dhe e akumuluar me vite, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Këto janë shkelje të drejtave të punëtorëve, as sigurim shëndetësor as mjete adekuate për punë, pakënaqësi te pagat”, ka theksuar Beka.

Pas analizimit të situatës, zjarrfikësit do ta ngrisin zërin nëpërmjet protestës ose zgjidhje tjetër, thotë Beka.

“Institucionet duhet ta kenë parasysh sakrificën e zjarrfikësve se duhet të trajtohen dinjitetshëm. Zërin do ta ngrisim, do ta analizojmë gjendjen me protestë se grevë jo, ose me Avokatin e Popullit që të drejtat tona të realizohen në çdo mënyrë e jo të shkelen. Zjarrfikëset nuk durojnë më”, u shpreh ai.

Kryesindikalisti i Zjarrfikësve ka kërkuar takim me ministrin Hekuran Murati, por ende s’ka marrë përgjigje nga ky i fundit.

Ai ka përmendur dy çështje që, sipas tij, duhet t’i ndryshojnë pasi i kanë obligim.

“Kemi bërë kërkesë në Ministri për një takim, por ende nuk kemi marr përgjigje. Kemi qenë në bisedime, kemi pritur që po respektohemi, kërkesat i kanë pasur në tavolinë, jemi mbetë në pritje dhe po shpresojmë që në rishikim të buxhetit së paku duhet të ndryshojnë se e kanë obligim.

Është çështja për rrezikshmëri dhe vikendi që nuk po kompensohet dhe çështja tjetër që disa Komuna nuk i kanë kryer disa obligime për 2023 dhe 2024 nuk i paguajnë”, përfundoi Beka.

Në Kosovë janë rreth 800 zjarrfikës. Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.

Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës.

Zjarrfikësit nuk kanë sigurime shëndetësore dhe paga e tyre bazë është 520 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat