Këta janë nëntë prokurorët e avancuar në PSRK, refuzohen kundërshtimet e tre kandidatëve

Aktuale

Këta janë nëntë prokurorët e avancuar në PSRK, refuzohen kundërshtimet e tre kandidatëve

Më: 7 maj 2024 Në ora: 15:14
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka aprovuar raportin e komisionit për avancimin e nëntë prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokurorët e avancuar janë: Naim Gashi, i cili nga vlerësimi ka marrë 87 pikë, Arbresha Raça-Shala 85.33 pikë, Shenaj Berisha 83.66 pikë, Shahadin Destani 82 pikë, Halim Borovci 77 pikë, Katriot Memaj 76.33 pikë, Fatos Ajvazi 71.33 pikë, Bekim Kodraliu 71 pikë dhe Ajshe Ferati ka marrë 70.66 pikë.

Kryetari i komisionit vlerësues, u.d Kryeprokurori Besim Kelmendi, tha se kandidatët e përzgjedhur janë vlerësuar në bazë të vlerësimit të performancës, nuk kanë pasur masa disiplinore, ngritjen akademike dhe përgjigjet e dhëna gjatë intervistimit, e që sipas tij këta kandidatë kanë plotësuar kriteret sipas rregullores.

Por ndaj këtij vlerësimi të komisionit, ankesa kanë parashtruar kandidati Kujtim Munishi, Bukurije Gjonbalaj dhe Fitore Sadikaj, që u refuzuan.

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka paraqitur kundërshtimin e tij në lidhje me vlerësimin, sipas tij të moszbatimit të ligjit dhe poentim të pasaktë dhe të njëanshëm.

Ai tha se ky proces ishte diskriminues dhe sipas tij komisioni ishte themeluar në kundërshtim me rregulloren dhe se vlerësimi i kandidatëve është bërë pa monitorues nga shoqëria civile dhe nuk është incizuar.

Munishi nga komisioni ishte vlerësuar më 64.66 pikë, duke zënë vendin e 11-të, i cili përmes ankesës së tij ka kërkuar anulim e gjithë procesit.

Në lidhje me këto kundërshtime të Munishit, kryesuesi i komisionit Besim Kelmendi ka thënë se për këtë konkurs kanë qenë të njoftuar edhe shoqëria civile edhe partneret ndërkombëtarë por që nuk kanë marrë pjesë.

Ndërsa, për vlerësimin, Kelmendi u shpreh se nga të gjithë kandidatët kanë kërkuar nga tri kopje të aktakuzave për të bërë një vlerësim profesional.

Me dyer të mbyllura po vazhdon diskutimi për pikën “Raporti përfundimtar për vlerësimin e parregullt të përformancës së një (1) prokurori të PTH në Prishtinë dhe kundërshtimi i parashtruar”, si dhe pika “të ndryshme”, raporton Betimi për Drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat