​9 vjet e tre muaj burg për kultivuesit e drogës

Aktuale

​9 vjet e tre muaj burg për kultivuesit e drogës

Më: 10 maj 2024 Në ora: 19:56
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale ndaj tre të akuzuarve I.S., R.K. dhe N.F., për kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe moslajmërimi i veprave penale.

I.S. është shpallur fajtor dhe dënuar me pesë vjet burg për kultivimin e bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në këtë dënim ndaj tij do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 12.02.2023 e tutje, si dhe dënim unik me gjobë 11 mijë euro. Në rast se i akuzuari nuk paguan gjobën, gjykata do t\ia zëvendësojë këtë me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.

R.K. është shpallur fajtor dhe dënuar me tri vjet burg për kultivimin e bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe 5 mijë euro gjobë. Në këtë dënim do t’i llogaritet koha në paraburgim nga data 04.04.2023 e tutje. Në rast se i akuzuari nuk paguan gjobën, gjykata do t’ia zëvendësojë me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.

I akuzuari i tretë N.F. është shpallur fajtor dhe dënuar me një vit e tre muaj burg për moslajmërimin e veprave penale apo kryesve të tyre, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe paraburgimi nga data 12.02.2023.

Sendet e përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale dhe sendet që janë rezultat i kryerjes së veprës penale i nënshtrohen automatikisht konfiskimit.

Me aktvendim të veçantë të akuzuarve I.S. dhe R.K. iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndërsa të akuzuarit N.F. i ndërpritet masa e paraburgimit.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat