​Mjerimi ka zbritur në tokë, Haradinaj: Emrin e ka udhëheqja e Kosovës

Aktuale

​Mjerimi ka zbritur në tokë, Haradinaj: Emrin e ka udhëheqja e Kosovës

Më: 10 maj 2024 Në ora: 21:23
Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se në rast mos anëtarësimi të Kosovës në Këshillin e Evropës përgjegjësi direkte do të bartin liderët institucionalë.

Ai ka shkruar në Facebook se tërheqja e kryeministrit Albin Kurti nga zotimi mbi përmbushjen e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Brukselit është goditja më e rëndë që mund t'i bëhet Kosovës në planin ndërkombëtar.

"Nëse humbet momentumi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tre udhëheqësve institucionalë. Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, me garancitë e dhëna përmes një letre të përbashkët, ku zotohen se Kosova do të përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe tërheqja prej fjalës së dhënë, e shkruar e zezë mbi të bardhë, janë jo vetëm humbje, por edhe goditja më e rëndë që mund t'i bëhet Kosovës në planin ndërkombëtar", ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, lidershipi aktual ka humbur përfundimisht besimin, ndërkaq Kosovën e ka shndërruar në një vend të izoluar.

Në krejt këtë situatë shqetësuese, kur po shihet qartë se vendi nuk ka as udhëheqës e as zot shtëpie, Presidentja e vendit ka vendosur të heshtë dhe të na bombardojë me pamje nga ajri, të pilotimit të një helikopteri! Po mjerimi ka zbritur në tokë dhe sot më shumë se asnjëherë e ka emrin - udhëheqja e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Kosova aktualisht nuk është rendin e ditës për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 16 e 17 maj. Ambasadori gjerman Jorn Rohde ka thënë se rendi i ditës mund të ndryshojë, duke mos dhënë më shumë detaje, ndërsa paralajmëroi se Kosova duhet të merr vendim të guximshëm, duke aluduar themelimin e asociacionit.

Kosova muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor 2023. Por, kryeministri Albin Kurti e cilësoi të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara.

Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe asociacionin”.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në tetor 2023, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të asociacionit, i cili duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.

Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Serbia u vu në fushatë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse me marrëveshjen e Ohrit zotohet të mos kundërshtojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat