Basha: Dyshimet dhe hetimet e zyrtarëve nuk e dëmtojnë aspak punën e mirë të Qeverisë Kurti

Aktuale

Basha: Dyshimet dhe hetimet e zyrtarëve nuk e dëmtojnë aspak punën e mirë të Qeverisë Kurti

Më: 11 maj 2024 Në ora: 10:39
Dimal Basha

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, thotë se intervistimet e zyrtarëve të lartë shtetëror por edhe të Qeverisë nga Prokuroria e Shtetit mbesin thjeshtë vetëm dyshime dhe se nuk e dëmtojnë aspak punën e Qeverisë Kurti.

‘’Ato mbesin vetëm dyshime dhe për këtë vetë zëvendësministri Durmishi ka dhënë sqarime për të. Jo more nuk e dëmtojnë këto punën e Qeverisë Kurti. Prokuroria ka pyetje, ndërsa Qeveria dhe ministrat kanë përgjigje për këtë. Ka hetime ata mundën me dyshu, ka pyetje ti përgjigjesh’’, thekson Basha.

Deputeti Basha e merr për shëmbull intervistimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati për të cilin thotë se pas shumë dyshimeve, hetimet mbi të kanë pushuar dhe se nuk bën me e paragjyku dyshimin.

‘’Edhe ministrin Murati e kanë intervistu mbi kallëzimin penal, por tash kanë pushuar hetime dhe nuk bën me paragjyku dyshimin asnjëherë si fajtor për shkak se qytetarët e dijnë se është Qeveri me duar të pastra. Ne nuk e kontrollojmë punën e drejtësisë’’, potencon ai.

Deputeti i pozitës thotë se askund nuk mund të gjendet se Qeveria ka ndërhyrë në punën e drejtësisë.

‘’Askund nuk e gjen që Qeveria ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë është kur ti e thirrë prokurorin dhe i thua me vendos favore në interesin tënd. Po, ne po kërkojmë punë me shumë nga ta dhe ne po kërkojmë një sistem me të mirë. Kritika nuk është ndërhyrje’’, përfundon deputeti Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat