​Dita e Dëshmorëve të Kombit nuk është zyrtare në Republikën e Kosovës

Aktuale

​Dita e Dëshmorëve të Kombit nuk është zyrtare në Republikën e Kosovës

Më: 11 maj 2024 Në ora: 13:47
​Dita e Dëshmorëve të Kombit

Edhe 25 vjet pas çlirimit, Kosova vazhdon të mos ketë datë zyrtare kur nderohen dëshmorët e kombit të rënë në luftën e fundit dhe luftërave të mëhershme për çlirim. Dita e Dëshmorëve të Kombit nuk figuron në kalendarin zyrtar të shtetit.

5 maji është dita e dëshmorëve të kombit, por në Kosovë nuk është shënuar në nivel institucional. Kjo ditë është përmendur vetëm në një postim të kryeministrit, Albin Kurti, por jo edhe nga presidentja, Vjosa Osmani e as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe asnjeri nga ata nuk ka vendos lule apo bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim më 5 maj në rrjete sociale, në orët e vona të pasditës, duke theksuar se kjo datë është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. “Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim”, kishte shkruar ai.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani thotë për KosovaPress, se ndryshimi i ligjit po kushtëzohet nga Lista Serbe.

Ramadani: Ligji po kushtëzohet nga Lista Serbe

“Kjo nismë për momentin është e pamundur të ndryshohet derisa të ketë konsensus të 2/3 e komunitetit serb për arsye se ata kushtëzojnë me 28 qershorin që ta fusin si festë zyrtare...(03:25) Te dëshmorët, ose tek dita e dëshmorëve, secila komunë e ka ditën e veçantë ku e kremtojnë ose manifestojnë ose ka forma të ndryshme secila komunë, se si e sheh të rrugës ta përkujtojë ose të shënojë Ditën e Dëshmorëve”, shton ai.

Kurse, Xhavit Jashari nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë për KosovaPress, se kjo ditë duhet të definohet si dita e dëshmorëve të kombit shqiptar.

Jashari: Kur Tirana e ka ditë zyrtare, pse mos ta kemi edhe ne?

“Ne kemi bërë kërkesë zyrtare tek institucionet, në këtë rast te Parlamenti i Kosovës që të ligjësojë festat shtetërore, përkujtimin e dëshmorëve. Ne e dimë që ende në aspektin ligjor nuk kemi të definuar ditën e dëshmorëve të kombit. Kërkesë e jona ka qenë se ne në vazhdimësi bëjmë aktivitete për 5 majin që të kujtojmë dhe nderojmë gjithë dëshmorët e gjitha periudhave kohore të popullit shqiptar. Është mirë që kjo të ligjësohet, i kemi bërë kërkesë edhe institucioneve që në përputhje kur e ka Tirana zyrtare këtë ditë, do të thotë pse mos me pas edhe Prishtina, kur e ka edhe Shkupi zyrtarisht, pse mos ta kemi edhe ne”, shprehet Jashari.

Këtë vit po bëhen 25 vjet nga çlirimi i Kosovës nga agresori serb. E këtë ditë, më 5 maj e kanë kremtuar vetëm disa komuna. Edhe organizatat e dala nga lufta në bashkëpunim me disa komuna, bën homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe organizuan akademi të ndryshme më 5 maj, megjithatë, jo në të gjitha komunat.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në statusin e Dëshmorit të Atdheut në Shqipëri përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

E njëjta datë po kërkohet që të jetë edhe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat