Abdixhiku i përgjigjet Kurtit për ftesën për darkë pune me opozitën - ja letra që i dërgoi

Aktuale

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit për ftesën për darkë pune me opozitën - ja letra që i dërgoi

Më: 11 maj 2024 Në ora: 16:55
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ia ka kthyer letrën kryeminsitrit Albin Kurti, duke lënë të kuptohet se nuk do të marrë pjesë në darkën e ftuar për 13 maj.

Abdixhiku në një përgjigje me shkrim i ka thënë Kurtit se LDK ashtu si deri më tani, do të vazhdojë t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, derisa për agjendën tjetër legjislative përgjigjet i jep përfaqësuesi i LDK-së në Kryesi të Kuvendit.

Megjithatë, Abdixhiku thotë se Kurti është i vonuar ne ftesën e tij për bashkëpunim me opozitën pasi sipas Abdixhikut ai deri më tani “ ka mbjellë polarizim të skajshëm dhe ofendues ndaj të gjitha partive tjera politike në Kosovë”, ka deklaruar mes tjerash Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

Kurti në letrën të cilën ua ka dërguar tri partive opozitare thekson se arsyeja pse ka takuar krerët e partive dhe shefat e grupeve parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.

Kjo është letra e plotë që Abdixhiku ia dërgoi Kurtit:

I nderuar Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti,

Uroj që jeni mirë dhe se punët po ju shkojnë mbarë!

Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok.

Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake.

Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat