​LDK refuzon ftesën e Kurtit, PDK pranon, AAK ende e pavendosur

Aktuale

​LDK refuzon ftesën e Kurtit, PDK pranon, AAK ende e pavendosur

Më: 11 maj 2024 Në ora: 18:36
Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hedhur poshtë ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim me opozitën për të hënën në orën 18:30, në njërin nga hotelet në Prishtinë, ndërkohë që ngjashëm nuk ka vepruar edhe Partia Demokratike e Kosovës, teksa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka marrë ende vendim.

Kryeministri Albin Kurti ftoi dje opozitën për një darkë pune, në të cilën do të diskutohej mbi agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës për sezonin pranveror.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre,” thuhet në letrën e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku drejtuar kryeministrit Kurti.

Abdixhiku ka thënë se partia që ai drejton do të vazhdojë të jetë përkrahëse e interesave madhore të Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e takimit.

“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake,” ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka njoftuar se e ka pranuar ftesën e kryeministrit Kurti dhe do të merr pjesë, teksa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu kanë konfirmuar marrjen e ftesës, por ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë.

Kryeministri Albin Kurti për herë të fundit kishte ftuar në takim opozitën në nëntor 2022 për të diskutuar mbi gjendjen në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat