Zgjedhjet në BE dhe SHBA, nuk pritet progres në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Zgjedhjet në BE dhe SHBA, nuk pritet progres në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 12 maj 2024 Në ora: 09:16
Foto ilustrim

Nuk pritet të ketë progres muajt në vijim në dialogun Kosovë-Serbi. Kështu vlerësojnë analistët politik në Kosovë, duke potencuar faktin se shumë shpejt pritet të ketë zgjedhje në BE, përderisa në nëntor të këtij viti janë zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Megjithatë të mërkurën që lamë pas përfaqësuesi special i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, u takua me Jim O’Brien, asistent sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobarin, i dërguar special i SHBA-ve për Ballkanin, ku kanë diskutuar për koordinimin e strategjisë në dialogun mes dy vendeve të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Dritëro Arifi, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar për Fo se s’do ketë lëvizje strategjike në dialog.

“Sipas deklaratave të aleatëve për koordinimin e strategjisë është shumë vonë që të ndërmerret diçka, duke e ditur që dy nga protagonistët i ka përfunduar mandati, Lajçak dhe Escobar,  dhe me O’Brien nuk dihet se si do shkojnë zgjedhjet në SHBA, po e shoh si të pamundur në aspektin kohor por ajo nuk mund të thuhet se nuk mund të realizohet nga dikush tjetër. Për këtë vit nuk mund të ketë ndonjë lëvizje strategjike përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli për të hyrë në NATO apo BE”, u shpreh Arifi.

Edhe analisti tjetër, Fidan Ukaj, ky vit do të jetë “i qetë”.

“Do të jetë një vit i qetë sa i përket presionit ndërkombëtar rreth zbatimit të marrëveshjeve, por do të ketë dinamikë të shtuar pas emërimit të facilituesit të ri e përfundimit të zgjedhjeve në BE dhe SHBA. Nuk pres dinamikë të re në procesin dialogues për shkak të zgjedhjeve dhe ndërrimit të akterëve kryesor të procesit dialogues”, thotë Ukaj.

Ndryshe nga dy njohësit e politikës, Artan Muhaxheri, ka mendim tjetër.

Ai deklaron se vullneti i ndërkombëtarëve ekziston për progres në dialogun Kosovë-Serbi, por, siç thotë ai, duhet të ketë guxim politik të dy palëve.

Sipas Muhaxherit, arritja e marrëveshjes përfundimtare dhe dialogu janë themelet e normalizimit të Ballkanit.

Ai thotë se suksesi i aleatëve do varet nga qeveria kosovare dhe ajo serbe.

“Që nga pavarësia nuk ka pasur më shumë angazhim ndërkombëtar për Kosovën se këto dy, tre vitet e fundit dhe kjo do të vazhdoj. Dialogu Kosovë-Serbi dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare janë themelet e normalizimit të Ballkanit dhe këto investime politike diplomatike janë të pritshme të vazhdojnë. Suksesi i tyre do të varet edhe nga bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë, vullneti ekziston nga ndërkombëtarët që të kërkohen rrugë për zgjidhjen e konfliktit shekullor por pa guximin politik të liderëve të dy vendeve nuk mund të ketë asnjë zhvillim politik përpara”, përfundon Muhaxheri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat