Dinari vazhdon të përdoret në veri, policia nuk ka marr urdhër për dënime, BQK tregon për efektet e planit

Aktuale

Dinari vazhdon të përdoret në veri, policia nuk ka marr urdhër për dënime, BQK tregon për efektet e planit

Më: 13 maj 2024 Në ora: 14:44
Foto ilustrim

Edhe pse para dy ditësh ka mbaruar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth çështjes së dinarit, kjo valutë vazhdon të përdoret nëpër të gjitha dyqanet e veriut të vendit. Derisa policia nuk ka marrë urdhër për t’i gjobitur personat që përdorin për pagesë valutat tjera përpos euros

Qytetarët serbë të kësaj pjese për KP, kanë pranuar se janë në dijeni për vendimin e BQK-së rreth dinarit, por vazhdojnë ta përdorin atë si valutë kryesore për shit-blerjen e mallrave të ndryshme nëpër dyqane.

Aleksandar Nedelkokviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se dinari vazhdon të përdoret në atë pjesë edhe pse ekziston ndalesa për një gjë të tillë.

Nedelkoviq: Këtu është veriu i Kosovës

“Natyrisht jam në dijeni (për vendimin e BQK-së rreth dinarit)… Mundem natyrisht (të blej sot me dinarë) edhe pse ekziston ndalesa për një gjë të tillë, por gjithsesi se ka mundësi. Kjo pjesë llogaritet si veri i Kosovës’, ka thënë Nedelkoviq.

Biljana Denoviq, një qytetare tjetër nga veriu i Mitrovicës, bëri të ditur se është në dijeni për vendimin e BQK-së, por tha se qytetarët nuk kanë një opsion tjetër tash për tash përveç dinarit.

Denoviq: Qytetarët e kanë më së vështiri

“Sot vazhdojmë të paguajmë me dinarë akoma, sepse ne opsion tjetër nuk kemi fatkeqësisht… Jam në dijeni për vendimin (nga BQK-ja), por ne pagat, të ardhurat sociale, pensionet, të gjitha na vijnë nga Serbia në dinarë dhe ne nuk shohim ndonjë zgjidhje si do të vazhdojmë dhe të paguajmë me euro, sepse vërtetë jemi në një pozitë të pa lakmueshme. Më së vështiri është për qytetarët’, theksoi Denoviq.

Edhe Dragosllav Jakshiq, ndonëse nuk pati shumë kohë për të treguar për çështjen e dinarit, ishte i shkurtër dhe i qartë se nëpër dyqanet e veriut kryen punë vetëm me dinarë.

Jakshiq: Me dinarë po paguajmë

“Me dinarë bre (po paguajmë sot) me dinarë, ika se nuk kam kohë”, tha ai.

Ndërkaq, analisti serb Branisllav Kërstiq, tha se qytetarët në veri vazhdojnë të paguajnë me dinarë dhe me euro.

Sipas tij, mungon transparenca e marrëveshjes siç e quajti ai, sekrete rreth dinarit në mes të Prishtinës dhe Beogradit, kështu që sërish viktima janë qytetarët.

Ai shtoi se një marrëveshje finale dhe e mirëfilltë rreth problemit të dinarit do të arrihet deri në zgjedhjet e ardhme që do të mbahen në Kosovë.

Kërstiq: Në filialet e postës së Serbisë, i kanë ndaluar pagesat me dinarë

“E kuptueshme, qytetarët mund të paguajnë me dinarë dhe euro, njëjtë siç ishte dje. Mirëpo, në filialet e postës së Serbisë, i kanë ndaluar pagesat me dinarë… Mungon transparenca e marrëveshjes sekrete në mes të Beogradit dhe Prishtinës, kështu që përsëri viktima janë qytetarët e shtetit të Kosovës… Jam i sigurt që deri në zgjedhjet e ardhme ose menjëherë pas këtyre zgjedhjeve do ta kemi një situatë krejt të qartë rreth dinarit’, sqaroi Kërstiq.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga KosovaPress, u.d. së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur përmes telefonit se policia nuk ka marrë urdhër për t’i gjobitur personat që përdorin për pagesë valutat tjera përpos euros.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar të hënën për efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

“Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare, për çka shprehim falënderimin”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se disa nga efektet e Planit për Zbatim të Lehtësuar të zbatuar gjatë periudhës tre mujore, i cili kontribuoi në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, janë paraqitur në vijim: Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare; Një zyrë bankare/degë në Leposaviq, një zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq, gjashtë zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare: Një në Leposaviq, Një në Zveçan, dy në Graçanicë, një në Shtërpcë, një në Shillovë, Gjilan.

Po ashtu sipas BQK-së, janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar; Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.

“Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në ëebfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, por BQK vendos një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat