Seanca për vrasjen e 2017-ës në qendër të Prishtinës, njëri i akuzuar shpreh keqardhje për prindërit e viktimës

Aktuale

Seanca për vrasjen e 2017-ës në qendër të Prishtinës, njëri i akuzuar shpreh keqardhje për prindërit e viktimës

Më: 13 maj 2024 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Gjatë dhënies së mbrojtjes të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti ka shprehur keqardhje për prindërit e tani të ndjerit N.S., dhe tha se ndjen keqardhje që në momentin e vrasjes ishte ndodhur në atë situatë.

“Nënës dhe babës së të ndjerit dua me ju thanë se me vjen keq çka ka ndodh shumë edhe e ndij veten shumë keq që kam qëllu në këtë mes”, deklaroi i akuzuari Ahmeti.

Këtë deklarim, Ahmeti e bëri në rastin ku së bashku me të akuzuarin Agron Vllasaliu po akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, ku pas një mosmarrëveshje në qendër të Prishtinës kishte mbetur i vrarë N.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, i akuzuari Ahmeti gjatë dhënies së mbrojtjes duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Gani dhe Behar Sahiti, avokatit Fanol Krasniqi, tha se në ditën kritike kishte shkuar për t’u takuar me tani të ndjerin N.S.

Avokati Krasniqi pyeti se a mund të konstatohet se takimi me N.S nuk ka qenë i mirë, kurse Ahmeti tha se nga takimi i parë nuk janë ndarë keq me tani të ndjerin.

Gjithashtu, i akuzuari Ahmeti pohoi se ishte befasuar me veprimet e N.S nga takimi i dytë që kishin pasur mes vete, por që sipas tij meqenëse kishin një raport shoqëror dhe se e kishte vërejtur se nuk ishte mirë, nuk kishte reaguar me ndonjë veprim.

Ai pohoi se kishin pasur në posedim dy armë dhe shtoi se nuk i kujtohet se kur e ka marrë i akuzuari Vllasaliu armën, pasi që ka kaluar një kohë e gjatë.

I akuzuari Ahmeti gjithashtu deklaroi se nuk qëndron prapa deklaratës së dhënë në Polici pasi që sipas tij kur e kishte dhënë atë deklaratë ishte në një gjendje jo të mirë, e që ende gjendjen nuk e ka të mirë.

Ai tha se në takimin e parë, tani i ndjeri N.S i kishte kërkuar para, por që ky i kishte sqaruar se nuk kishte.

Gjatë parashtrimit të pyetjeve nga avokati Krasniqi, kishte kundërshtime të vazhdueshme nga mbrojtës i të akuzuarit Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha, me arsyetimin se pyetjet e parashtruara janë shterur në seancat e kaluar dhe se po përsëriten.

Gjithashtu, gjykatësi Alban Ajvazi kërkoi nga avokati Krasniqi që të mos parashtrojë pyetje në kundërshtim me dispozitat ligjore që parashihen pyetje të tërthorta.Por, Krasniqi tha se pyetjet e parashtruar nga ana e tij janë konform dispozitave ligjore në fuqi dhe se mënyra e paraqitjes së pyetjeve është çështje që e vlerëson vetë përfaqësuesi dhe se me këto pyetjet po pretendohet të qartësohen takimet midis të akuzuarve dhe tani të ndjerit N.S.

Në këtë seancë, po ashtu u shqiptua vërejtje nga gjykatësi i rastit Ajvazi ndaj avokatit Hoxha me arsyetimin se reagonte në pyetjet e avokatit tjetër Krasniqi dhe se me këto reagime po ndërhynte në punën në punën e gjykatës.

“..pasi që i njëjti ndërhyn gjatë pyetjeve të përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe gjykata e paralajmëron se nëse edhe një herë ndërhyn, ndaj tij do të shqiptohet gjobë pasi po pengohet rrjedha e gjykimit”, tha gjykatësi Ajvazi.

Ndërkaq prokurori i rastit Bashkim Zeqaj kërkoi nga gjykata që me rastin e kundërshtimeve nga avokati Hoxha lidhur me pyetjet e parashtruara nga avokati Krasniqi, mos të udhëzohet i akuzuari se si të përgjigjet.

me lejë e gjykatës kërkoj që nga e njëjtat që të vihet në dijeni pasi që me rastin e shqiptimit të vërejtjeve nga avokati Hoxha lidhur me pyetet e parashtruar nga avokati Krasniqi po e udhëzon të akuzuarin se edhe si të përgjigjet.

Më pas, seanca u ndërpre nga gjykatësi i rasti pasi që në sesionin e pasdites kishte një rast tjetër me paraburgim që duhet proceduar me të.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Vllasaliu gjendej në arrati. Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, përmes aktvendimit, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarve Arlind Ahmeti, avokatit Adren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat