Krasniqi: Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, sa më parë zgjedhje të reja

Aktuale

Krasniqi: Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, sa më parë zgjedhje të reja

Nga: H.O. Më: 13 maj 2024 Në ora: 22:48
Pamje nga takimi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka treguar në detaje se ҫfarë është diskutuar në takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Krasniqi thotë se ka pranuar takimin për interesin e shtetit dhe zhvillimin e tij.

Ai shkruan se qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike, ҫmimet janë rritur, ndërsa pagat kanë mbetur njëjtë, e qeveria nuk po bën sa duhet për ta.

Andaj, ai thotë se duhet sa më parë të vendoset data e zgjedhjeve të reja, pasi zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike - por një domosdoshmëri.

Postimi i plotë:

Sonte i jam përgjigjur kërkesës së kryeministrit Kurti për takim. Si PDK, duke respektuar gjithmonë trashëgiminë tonë politike, për interesin e shtetit dhe zhvillimin e tij, do të jemi gjithmonë të gatshëm të takohemi dhe të bisedojmë kurdo dhe me këdo.

Kosova është në agoni! Neve na shqetëson shumë fakti që ka shumë bashkëqytetarë që e kanë të vështirë ta lidhin muajin me muaj. Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta dhe familjet kosovare po përballen me vështirësi të ndryshme. Në anën tjetër, qeveria nuk po bën sa duhet për ta.

Mbi këtë premisë, konsideroj se duhet të mblidhemi sa më parë të gjithë liderët e partive politike parlamentare dhe, me konsensus të përbashkët e pa protagonizëm individual, të vendosim për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për shpërndarjen e kësaj legjislature të paralizuar.

Uroj që edhe partitë e tjera të mbështesin një nismë për shpërndarjen e Kuvendit. Stagnimi i theksuar i shtetit, posaçërisht në ekonomi, por edhe në rrafshin ndërkombëtar, nuk mund të presë më shumë.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike - por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat