Pse Kurti është i interesuar për zgjedhje gati në fund të mandatit?

Aktuale

Pse Kurti është i interesuar për zgjedhje gati në fund të mandatit?

Më: 14 maj 2024 Në ora: 17:55
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, si dhe shefat e grupeve parlamentare të partive, më 13 maj në Prishtinë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Këshilli i Evropës, zgjedhjet në SHBA dhe në BE janë vetëm disa prej arsyeve që, sipas analistit politik, Agon Maliqi, mund ta çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

“Vendimet që janë para kryeministrit [Albin Kurti], veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Asociacionin, ndoshta i sheh si shumë problematike politikisht, kështu që ose po kërkon shpërndarje të fajit sa më gjerësisht, ose zgjedhje të reja për të prodhuar legjitimitet të ri për vendimmarrje”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Për mundësinë e zgjedhjeve të reja - më pak se një vit para përfundimit të mandatit të Qeverisë aktuale - foli vetë Kurti më 13 maj, por jo shumë edhe për arsyet.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, tha Kurti për gazetarët, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, tha se zgjedhjet janë të domosdoshme.

Ai tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.

“Ne nuk jemi në gjendje të mirë, Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje enorme të çmimeve, paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare të lidhin muajin me muaj”, tha Krasniqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë tha përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.

“LDK-ja i fton të gjitha palët politike që, në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, sipas LDK-së.

Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“AAK-ja do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër - Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, shkroi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në llogarinë e tij në Facebook, më 13 maj.

Por, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk është duke e konsideruar mundësinë e dorëheqjes së kryeministrit Kurti, tha zëdhënësi i saj, Arlind Manxhuka.

“Nuk duam ta konsiderojmë [këtë] mundësi. [Ata] po u frikësohen zgjedhjeve të reja dhe janë komod në ulëset opozitare të Kuvendit”, tha Manxhuka për Radion Evropa e Lirë.

“Nevojë për opozitën”

Maliqi, bashkëthemelues i OJQ-së mediatike në Kosovë - Sbunker, thotë se Kurti ndien se nuk mund t’i çojë përpara disa vendime i vetëm dhe “ka nevojë për opozitën”.

Sipas tij, Kurti ka mbërritur në një pikë ku, ndoshta, “është i mbështetur politikisht për mur”.

Ai përmend këtu situatën me Këshillin e Evropës, si dhe atë brenda Kuvendit të Kosovës, të cilin e konsideron pasive.

Kosova, tash për tash, nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të mblidhet më 17 maj.

Ka qenë e paraparë që në atë takim të votohet për pranimin e saj në këtë organizatë, por Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar ta çojë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim - një kusht ky i nxjerrë, ndërkohë, nga disa vende perëndimore.

Sipas Maliqit, një tjetër arsye për zgjedhje të reja është edhe vetë formimi i këtij asociacioni.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për të qysh në vitin 2013, por qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës kanë hezituar ta zbatojnë, nga frika se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit.

Trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën për ta formuar këtë asociacion, është shtuar së voni.

Maliqi thotë se i sheh si të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme.

“Për të zgjeruar mandatin [e këtij koalicioni] besoj se edhe ai [Kurti] e di shumë mirë se është e pamundur, sepse ashtu-kështu jemi futur në vit zgjedhor. Ndoshta kryeministri ka shpresuar që mund të ndërtojë konsensus më të gjerë për vendimet [që e presin], por është vonë për këtë përpjekje”, thotë Maliqi.

Ai shton se Kurti mund të parapëlqejë t’i mbajë zgjedhjet edhe para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të zhvillohen në nëntor, si dhe para themelimit të institucioneve të reja të BE-së që do të dalin nga zgjedhjet e kësaj vere.

Si mund të shkohet në zgjedhje?

Zgjedhjeve të reja mund t’u hapet rrugë me mocion të shpërndarjes së Kuvendit me dy të tretat e votave, me mocion për shkarkimin e kryeministrit, ose me mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë që do ta kërkonte kryeministri.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se shkarkimi i kryeministrit është më pak i mundshëm.

“Opsioni më real në këtë situatë mbetet shpërndarja e Kuvendit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Për inicimin e kësaj procedure, sipas tij, kërkohet thirrja e një seance të jashtëzakonshme nga së paku 40 deputetë.

Ai thotë se arritja e së paku 80 votave për këtë mocion nuk do të ishte e vështirë.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka 56 deputetë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës i ka 18 deputetë. Të dyja bashkë e arrijnë numrin prej 74 deputetësh, pa llogaritur deputetët e komuniteteve joserbe dhe joshumicë, të cilët aktualisht janë në koalicionin qeverisës.

“Nëse merren 8 apo 9 prej këtyre deputetëve, atëherë arritja e numrit prej 80 votash nuk duket të jetë problem... pa llogaritur edhe dy apo tre deputetë të tjerë, që nuk janë pjesë e ndonjë grupi parlamentar, e që paraprakisht kanë qenë deputetë të LVV-së”, thotë Cakolli.

Sa i përket aspektit procedural, ai thotë se thirrja e një seance të jashtëzakonshme mund të bëhet edhe brenda kësaj jave “nëse ka një interes të tillë”.

Megjithatë, ai beson se, fillimisht, do të ketë një pajtueshmëri më të madhe për kalimin e disa marrëveshjeve dhe projektligjeve “me rëndësi” gjatë kësaj përbërjeje parlamentare.

“Këtu përfshihen projektligje si ai për KPK-në [Këshilli Prokurorial i Kosovës], mbase edhe ai për Kodin Civil e të tjera”, thotë Cakolli.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve caktohet nga presidentja e vendit, pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi.

Cakolli thotë se nuk parashihet ndonjë afat kohor për pjesën e konsultimeve që presidentja i bën me partitë politike, por zakonisht ato marrin vetëm disa ditë kohë.

Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri në 45 ditë nga data e shpalljes së tyre, por Cakolli nuk e përjashton mundësinë që ato të thirren edhe brenda afatit të shkurtër që është 30 ditë.

“Ajo çfarë duket qartë, është se edhe kjo legjislaturë, përkatësisht kjo qeveri, nuk do ta përmbyllë mandatin e plotë kushtetues prej katër vjetësh, por do ta përfundojë atë paraprakisht”, thotë Cakolli.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat