Nushi për takimin Kurti – Krasniqi: PDK është patericë e pushtetit

Aktuale

Nushi për takimin Kurti – Krasniqi: PDK është patericë e pushtetit

Më: 14 maj 2024 Në ora: 18:28
Nol Nushi

Nol Nushi nga PSD e ka quajtur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) “patericë” të pushtetit, pasi sipas tij, nuk është opozitarizëm nëse me dy duar ia jep fitoren kryeministrit Albin Kurti.

Nushi ka thënë se PDK ka një vit që kërkon zgjedhje, ndërsa ato do të vijnë vetëm kur i duhen Vetëvendosjes.

Teksa e quajti shfaqje të shëmtuar takimin në mes Kurtit e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, Nushi shtoi se kjo nuk është sjellje prej opozite, veçse është një “amin” se çfarë thotë pushteti.

“Ai takim ishte shfaqje e shëmtuar, kështu iu ka dok edhe votuesve të PDK-së. PDK ka një vjet që kërkon zgjedhje, po vinë kur pi duhen Vetëvendosjes. Duhet të bësh organizim opozitar, ai kur të thotë kurdush shkojmë në zgjedhje, dhe ti thua po, kjo nuk është opozitë, është të jesh patericë e pushtetit. Cka me thonë për PDK-në kur me dy duar ia jep fitoren Kurtit”, ka deklaruar Nushi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takim me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, janë diskutuar çështje të aktualitetit politik, me theks të veçantë agjenda legjislative.

Sipas tij, kanë diskutuar edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, por edhe për mundësinë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt.

Ka thënë se PDK-ja e ka përcaktuar kandidatin për kryeministër, porse për datën e zgjedhjeve duhet të diskutojnë me të gjitha partitë.

Ai ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit duhet të jenë që të gjithë bashkë.

Edhe i pari i PDK-së ka thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundshme, pasi sipas tij, ato nuk janë dëshirë e tij, por nevojë për vendin.

Krasniqi ka theksuar se janë të gatshëm për të gjetur një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat