Ahmeti: Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën

Aktuale

Ahmeti: Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën

Më: 14 maj 2024 Në ora: 19:40
Zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme, Kreshnik Ahmeti

Zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se disa shtete po e përdorin Këshillin e Evropës si levë presioni mbi Kosovën që ta dërgojë draftstatutin evropian për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Anëtarësimi i Kosovës s’është futur ende në rend dite në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 dhe 17 maj. Gjermania e Franca kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës ta dërgojë draftstatutin evropian në Kushtetuese për t’iu garantuar anëtarësimi në Këshill të Evropës. Por kryeministri Albin Kurti nuk është shprehur i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.

Ahmeti ka bërë të ditur se as sot nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës, edhe pse “instancat e Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova e meriton të bëhet anëtare e kësaj organizate”.

“Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës. Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qendrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm. Në dy vitet e fundit shqyrtimet e detajuara të disa instancave të Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova duhet të behët anëtare e kësaj organizate. Në këtë periudhë të shkurtë, procesi i anëtarësimit shënoi përparim të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Ahmeti, i cili ka përmendur disa nga këto përparime.

Zëvendësministri ka thënë se shtyrja eventuale e votimit për Kosovën ndodh për shkak se “janë ngatërruar dy procese të pavarura”.

“Pra, tashmë nuk mbetet asnjë hap tjetër përveç votimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm, sipas Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Por, ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyerja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka shkruar tutje ai.

Sipas tij, kushti për Asociacionin nuk përkon me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës. Shtyrja e votimit, siç thotë Ahmeti, do t’u kufizojë mundësitë qytetarëve të Kosovës, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e këtij Këshilli. Veprime të tilla, Ahmeti thotë se inkurajojnë liderët hegjemonë në rajon.

“Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian. Shtyerja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyerja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkdhelja vitin e kaluar. Sidoqoftë, progresi në dy vitet e fundit në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm. Kosova tashmë ka të gjitha vlerësimet e nevojshme dhe mëse pozitive nga të gjitha instancat relevante të kësaj organizate. Ajo pashmangshëm do të jetë anëtare e plotë, e barabartë mes të gjitha anëtareve të tjera, si rezultat i meritës së saj”, ka shkruar Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat