Besnik Berisha avokat i djalit të gjyqtares, kërkohet përjashtimi i saj nga rasti “Brezovica”

Aktuale

Besnik Berisha avokat i djalit të gjyqtares, kërkohet përjashtimi i saj nga rasti “Brezovica”

Më: 14 maj 2024 Në ora: 20:17
Pamje nga Gjykata

Dy raste të ndryshme, njëri në Gjykatën në Prizren e tjetri në Pejë, sot janë bërë temë diskutimi në gjykatore.

Derisa në Prizren Asdren Mekaj jepte mbrojtjen e tij, për të u diskutua në rastin Brezovica në Pejë.

Kjo sepse, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj është nëna e të akuzuarit për veprën penale detyrim, e që mbrohet nga avokati Besnik Berisha.

Po i njëjti avokat, mbron një tjetër të akuzuar, Arben Çitakun, ish -sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, i akuzuar për keqpërdorim detyre në rastin “Brezovica”, ku Nushe Kukaj-Mekaj kryeson trupin gjykues.

Kjo situatë, sipas prokurorit Rasim Maloku përbën konflikt interesi.

Por, Kuka-Mekaj dha arsye që sipas saj këtu nuk ka shkelje.

“Si kryetare e trupit gjykues, kam vlerësuar nëse ka ndonjë baze për përjashtim të caktohet në dispozitat ligjore të Kodit të procedurës penale dhe si përjashtim obligativ nuk kam gjetur, megjithatë një përjashtim fakultativ njoftohen palët se edhe pse nuk është avokati Besnik Berisha, ai është mbrojtësi i një familjari tim megjithatë i kam dy vendime të formës së prerë në të cilat nuk jam përjashtuar në asnjë rast”, ka deklaruar Kuka – Mekaj.

Megjithëkëtë, prokurori i cili në këtë seancë ishte me mbrojtje të afërt, tha se kërkesën do ta paraqes edhe me shkrim, çka bërë që seanca sot në rastin “Brezovica”, të mos mbahet.

“Është e vërtet që mbrojtësi i të pandehurit Arben Çitaku, është mbrojtës edhe një familjarit tuaj te afërt, edhe në kuptim te nenit 38 paragrafit 5 vlersojmë se bëjmë me konflikt interesi…Do paraqes kërkesën jo për shkak të aspektit personal por vlerësojmë se është konflikt interesi”, ka deklaruar prokurori, Rasim Maloku.

Media ka provuar ta kontaktojë avokatin Besnik Berisha, që nuk ishte i pranishëm në seancë por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Në këtë seancë, i pranishëm nuk ishte as i akuzuari Bedri Halimi, i cili ishte kryeinspektor në Ministri të Mjedisit, meqë i njëjti ishte jashtë shtetit për arsye shëndetësore, për çka edhe avokati i tij ka kërkuar që procedura ndaj të njëjtit të veçohet.

Në rastin e njohur si Brezovica, të akuzuar janë ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq e 11 zyrtarë të tjerë të kësaj komune, si dhe ish-punonjës të Ministrisë së Mjedisit.

Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi e armëmbajtje pa leje, për shkak se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë duke keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, kanë mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat