Serbia luan sipas skemës së Putin! Osmani: Qasje e pabalancuar në dialog, BE të na hapë dyert

Aktuale

Serbia luan sipas skemës së Putin! Osmani: Qasje e pabalancuar në dialog, BE të na hapë dyert

Më: 14 maj 2024 Në ora: 22:10
Vjosa Osmani

Serbia po ndihmon Rusinë, që të shpërqendrojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë, dhe të hapë një front të ri kundër Perëndimit.

Akuza erdhi nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një fjalimi në samitin për demokraci në Kopenhagen. Sipas saj, demokracia në bote është në sprove pasi autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.

Osmani theksoi se Kosova e sheh të ardhmen në familjen euroatlantike, dhe se paqartësitë rreth integrimit të vendit po krijojnë terren të rrezikshëm për tu shfrytëzuar nga armiqtë e demokracisë.

“Kosova kufizohet me Serbinë, një vend që jo vetëm kohët e fundit, por veçanërisht kohët e fundit po dëshmon se është një përfaqësues shumë besnik i Rusisë që po përpiqet të luajë sipas skemës së Putinit duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe nga ana tjetër për të hapur një front të ri kundër Perëndimit. Sepse padyshim ky efekt i përhapur përmes të cilit Rusia do të arrinte të largonte vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina, është pikërisht ajo që do t'i duhej në këtë pikë.”

Gjatë samitit në Kopenhagë, Osmani tha gjithashtu se Kosova ka rritur bashkëpunimin me aleatët  për të zmbrapsur çdo qëllim “destabilizues në kufirin verior” – duke iu referuar kufirit me Serbinë.  Në këtë kontest ajo përmendi sulmin e viti të kaluar në Banjskë të Zvecanit, duke mos përjashtuar mundësinë që një tjetër skenar i ngjashëm të përsëritet.

Presidentja e Kosovës shtoi se në kuadrin gjeopolitik është thelbësore që organizatat ndërkombëtare ti mbajnë dyert e hapura për vendet demokratike dhe ti jepet Kosovës statusi i vendit kandidat.

“Ne kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian por aplikimi nuk është shqyrtuar ende. Ky është një mesazh shumë i vështirë për t'u gëlltitur për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, sepse Kosova së bashku me disa vende të tjera në rajonin tonë është në një linjë me të gjithë Bashkimin Evropian, vendimet e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes. Ne kemi miratuar sanksione kundër Rusisë dhe jemi të parët në rajon që e bëmë këtë kundër Iranit.”

Duke ju referuar trysnisë ndaj Kosovës, për themelimin e Asociacionit, Osmani pohoi se ka një mungesë të plotë të baraspeshës në një kohë kur Serbisë nuk po i kërkohet të zbatojë detyrimet e saj, e të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në KiE. Kjo sipas presidentes, po shkatërron besueshmërinë e dialogut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat