Takimi për dinarin përsëri i dështuar, flet Bislimi, tregon a do të ketë takime tjera

Aktuale

Takimi për dinarin përsëri i dështuar, flet Bislimi, tregon a do të ketë takime tjera

Më: 15 maj 2024 Në ora: 08:04 Përditësuar në ora: 19:09 më 15.05.2024
Kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë

BE: Palët s’janë të gatshme të bëjnë kompromis për të arritur marrëveshje për dinarin

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova e Serbia s’kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave cash në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit.

Zyra për informim e BE-së, në një deklaratë për media, ka theksuar se edhe pse palët kanë tejkaluar disa dallime, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për aspekte të caktuara.

“Përpjekjet janë bërë për të siguruar një zgjidhje e përkohshme e qëndrueshme për njerëzit më të prekur nga Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operimet cash,” thotë deklarata.

“Dialogu i zhvilluar në Bruksel mes datave 28 shkurt dhe 15 maj ka përfshirë disa takime ku të dyja palët kanë ekspozuar qëndrimet e tyre dhe kanë kërkuar mundësi bashkëpunimi.”

Gjatë këtyre diskutimeve, Bashkimi Evropian ka paraqitur një sërë ide dhe propozime për të ndihmuar në ndërtimin e konsensusit.

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, u arrit një marrëveshje për krijimin e një entiteti të ri biznesor në mbështetje të flukseve financiare mes dy vendeve.

Ky entitet i ri, që do të operojë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të merret me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia.

Megjithatë, ngërçi ka mbetur në disa pika të debatueshme.

“BE-ja prezantoi një propozim të kompromisit që nuk u pranua nga palët për shkak të ndarjeve lidhur me shtrirjen e aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë,” shprehet deklarata.

Takimi i fundit nuk solli asnjë afrim të pozicioneve. ”

Sot dëshmoi që palët nuk ishin të gatshme të gjenin një zgjidhje të përbashkët,” njofton BE-ja, duke shprehur zhgënjimin se asnjë marrëveshje nuk u arrit në takimin e fundit.

Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo situatë reflekton një mungesë të dukshme të gatishmërisë për të gjetur një zgjidhje që do të përfitojnë të dyja palët në të ardhmen.

Bislimi e cilëson të dështuar takimin për dinarin në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Sipas tij, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive.

Ende vazhdon takimi i kryenegociatorëve, mbi gjashtë orë

Për më shumë se gjashtë orë është duke vazhduar takimi i sotëm i përbashkët i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, me ndërmjetësimin e emisarit evropian Miroslav Lajçak, ku vazhdojnë diskutimet për çështjen e dinarit.

Për të njëjtën temë tashmë është duke u diskutuar për të shtatën herë.

Krejt kjo erdhi për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për kryerjen e pagesave dhe përdorim të vetëm të valutës euro në Kosovë.

Në të gjitha këto takime deri tani nuk është arritur një kompromis mes palëve, për të njëjtën çështje bashkësia ndërkombëtare ka qenë kritike ndaj palës së Kosovës.

Nis takimi i kryenegociatorëve në Bruksel

Ka nisur takimi i përbashkët i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, me ndërmjetësimin e emisarit evropian Miroslav Lajçak, ku vazhdojnë diskutimet për atë që çuhet “çështja e dinarit”.

Është ky takimi i shtatë me radhë në kuadër të dialogut ku po trajtohet e vetmja temë – mënyrat e zbatimit të rregullores së BQK-së lidhur me pagesat me para të gatshme. Nga 1 shkurti sipas rregullores së BQK-s, e vetmja valutë për pagesë me para të gatshme është euro.

Kjo rregullore ka shkaktuar tensione të reja në relacionin Prishtinë-Beograd, por edhe ka hasur në kritika të Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që ta shtyjë zbatimin e rregullores.

Sikur herave të tjera, edhe kësaj radhe shpresohet se ky do jetë takimi i fundit dhe se do të arrihet pajtimi për një zgjidhje kalimtare lidhur me zbatimin e rregullores. Ndërkohë, më 12 maj ka kaluar periudha tranzitore e BQK-së për këtë rregullore.

Emisari evropian Miroslav Lajçak qysh në muajin mars ka prezantuar një zgjidhje kompormisi, e cila atëbotë ishte e pranueshme për palën kosovare. Nuk ka detaje rreth përmbajtjes së propozimit, por thuhet se i njëjti është akoma në tryezë.

Vet Lajçak rishtazi nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se pret qasje konstruktive të palëve në takimin e sotëm në mënyrë që të gjendet mënyra për të ecur përpara.

Kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen sot në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

Emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar, sot në Bruksel, diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Do jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-s. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.

Me 12 maj, ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë.

Sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nëpërmjet rregullores së BQK-së po synohet ligjshmëria, transparenca.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese. Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë”, është shprehur Kurti.

BQK, ka njoftuar se e ka përmbyllur edhe periudhën tremujore tranzitore për siç thuhet, “zbatim i lehtësuar i rregullores për operacione me para të gatshme”. BQK-ja ka sqaruar, ditë më parë, se pas përmbylljes së periudhës transitore ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit, duke vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat