Kushtëzimi me Asociacionin, Osmani bisedon me presidentin gjerman - tregon çka i tha për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale

Kushtëzimi me Asociacionin, Osmani bisedon me presidentin gjerman - tregon çka i tha për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 15 maj 2024 Në ora: 09:56
Vjosa Osmani dhe Frank-Walter Steinmeier

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se dje ka pasur një bisedë telefonike me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Osmani tha se në këtë bisedë, theksoi rëndësinë kritike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit.

“Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në KiE. Theksova rëndësinë kritike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, ka shkruar Osmani.

Krerët e shtetit kanë konfirmuar tashmë tashmë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.

Ndërkaq, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha dje se teksa Kosova po kushtëzohet me hapa drejt Asociacionit për t’u pranuar në KiE,  në anën tjetër, askush s’po i kërkon Serbisë të bëjë pjesën e saj. E para e shtetit tha se kjo është mungesë totale e baraspeshës që minon kredibilitetin e dialogut.

“Obligimi kryesor për Kosovën nga ajo marrëveshje lidhet me të drejtat për komunitetet pakicë, më specifikisht për të krijuar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por kjo është e kushtëzuar me Serbinë që të ushtrojë ushtron njohjen de-facto në mënyrë paralelisht, njëkohësisht , në të njëjtën kohë, sepse siç e kanë thënë Macron e Shcolz e të gjithë liderët tjerë të BE-së përderisa Serbia bën të kundërtën, thotë që nuk do të kemi kurrë njohje Kosovës, nuk do ta lejojmë të bëhet anëtarë e organizatave evropiane cila janë masat e sigurisë që do ti kemi që të mos i lejojmë këtij Asociacioni që të ikë nga kontrolli. Ne shohim problemet që i ka Bosnja me Republikën Srpska. Asociacioni që është prezantuar sot nuk i ngjanë Republikës Srpska, por do të sigurohemi që të mos jetë as i përafërt. Në KiE i kemi kaluar dy fazat me sukses dhe po na thuhet që po duet të implementoni Asociacionin, mirë a do ta bëjë Serbia pjesën e vetë njëkohësisht, që do të thotë vota për Kosovën në KiE, askush nuk ja kërkon këtë Serbisë. Kemi një mungesë totale të barazpeshës që minon kredibilitetin e dialogut”, u shpreh Osmani të martën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat