Damka: Kushtëzimi për anëtarësim në KiE, padrejtësi edhe ndaj komuniteteve

Aktuale

Damka: Kushtëzimi për anëtarësim në KiE, padrejtësi edhe ndaj komuniteteve

Më: 15 maj 2024 Në ora: 12:39
Fikrim Damka

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, thotë se ndihet i zhgënjyer nga lajmi që Kosova as dje nuk u fut në agjendën e mbledhjes e kësaj jave të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Damka, në një postim në Facebook, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e KiE-së,  dhe që kushtëzimi nga disa prej shteteve evropiane është padrejtësi edhe ndaj komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë.

“Anëtarësimi i Kosovës është meritor sepse i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare. Kushtëzimi nga disa prej shteteve evropiane me progres në një proces krejt të ndarë nga ai i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i padrejtë ndaj Kosovës dhe padrejtësi ndaj komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë”, shkruan Damka.

Ai thotë se si pjesëtar dhe përfaqësues i komunitetit turk në Kosovë, ndjehet i neglizhuar nga liderët e shteteve mike që kanë vendosur deri më tani ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Komuniteti turk është komunitet kushtetues i Republikës së Kosovës, që ka kontribuar dhe kontribuon në vazhdimësi në zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe në harmoninë ndëretnike në Kosovë. I njëjti, përmes deputeti tonë, ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në votimin historik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në prill të këtij viti”, shkruan tutje ministri.

Qasja në mekanizmat e Këshillit e Evropës, si ai i Gjykatës së Strasburgut paraqet mundësi të mirë dhe mundësi shtesë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave tona, shton ai.

“Mohimi i një mundësie të tillë për shkak të një proces që ka të bëjë ekskluzivisht me një komunitet tjetër joshumicë, është shpërfillës dhe dekurajues për komunitetit turk në Kosovë, si dhe për të gjitha komunitetet tjera që janë pjesë aktive e jetës shoqërore, kulturore dhe institucionale të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Damka në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat