Liz Allen në Beograd, thekson rëndësinë e përparimit drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Aktuale

Liz Allen në Beograd, thekson rëndësinë e përparimit drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Më: 15 maj 2024 Në ora: 17:28
Foto nga takimi

Nënsekretarja amerikane e shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen, theksoi të mërkurën në Beograd rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi si dhe të bashkëpunimit në luftën ndaj kërcënimeve për qëndrueshmërinë rajonale dhe evropiane.

Zonja Allen u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, më të cilin sic thuhet në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit, diskutoi mbi çështjet globale dhe përparimin e Serbisë drejt integrimit më të madh në Bashkimin Evropian si dhe Planin e Rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

“Nënsekretarja Allen nënvizoi rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për të luftuar kërcënimet ndaj qëndrueshmërisë evropiane dhe rajonale, të tilla si agresioni rus kundër Ukrainës dhe përpjekjet e Kremlinit për të përhapur dezinformata”, thuhet në njoftim.

Presidenti serb shkroi ndërkaq në rrjetet sociale se i ka kërkuar zonjës Allen shtimin e angazhimit të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Theksova trysnitë me të cilat përballet Serbia dhe serbët dhe kërkova nga Shtetet e Bashkuara të rrisin angazhimin dhe të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të ruajtur qëndrueshmërinë e rajonit dhe për të krijuar parakushte për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret të rajonit drejt një të ardhmeje të begatë”, shkroi presidenti serb.

Zonja Allen qëndroi në Beograd në kuadër të një vizite në rajon gjatë së cilës qëndroi në Bosnjës dhe pritet të vizitoje Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

DASH-i tha se vizita synon “thellimin e partneritetit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian. Nënsekretarja Allen do të theksojë vlerat themelore demokratike që ndajmë me qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e punës së përbashkët për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të hapura nga ndikimi keqdashës”.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Që nga fillimi i agresionit, diplomatët perëndimorë kanë shfaqur shqetësimin se Moska mund të përpiqet të shfrytëzojë çështjet e pazgjidhura në Ballkan, për të nxitur destabilitet që do të tërhiqte vëmendjen nga Ukraina.

Kjo ka shtuar përpjekjet për të përshpejtuar procesin e afrimit të vendeve të rajonit më strukturat euroatlantike.

Udhëheqësit e këtyre vendeve dhe ata të Bashkimit Evropian mblidhen të enjten në Kotor të Malit të Zi për të diskutuar Planin prej 6 miliardë eurosh të bllokut për Rritjen Ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim pritet të marrë pjesë edhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien.

Bashkimi Evropian ka theksuar se parakusht për Kosovën dhe Serbinë për të përfituar nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat