Erdhi për të vizituar bizneset në 23-vjetorin e Panairit Ndërkombëtar të Expokos.
E këtu kryeministri u interesua edhe për pajisjet e vendosura.
Mirëpo interesimi i medieve ishte për të pyetur Albin Kurtin rreth zgjedhjeve të parakohshme.
Edhe pse nuk u ndal para medieve, ai shkurt e me rima poezie, përsëriti se është i gatshëm për zgjedhje, mirëpo po e pret opozitën e vendit.
“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme me u diskutu agjenda legjislative, sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare pa miratu”, tha Kurti.
E për të dyja çështjet, kryeministri aktual mori përgjigje nga kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza.
Hamza tha se PDK-ja do i votoj marrëveshjet ndërkombëtare.
“Ne kemi vendosur që t’i përkrahim dhe t’i votojmë të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare të cilat janë në rend dite në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto marrëveshje i përkrahim pa kushtëzime. Fatkeqësisht nuk kemi pasur një kërkesë dhe një qasje të duhur dhe pozitive edhe nga ana e qeverisë… Sidoqoftë ne i kemi negociuar një pjesë të këtyre marrëveshjeve financiare ndërkombëtare dhe ne nesër në seancën e Kuvendit do t’i përkrahim dhe do të japim votën tonë për aprovimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Hamza.
Për Hamzën ka tri mundësi për të shkuar vendi në zgjedhje, mirëpo nuk tregoi nëse do të iniciohet mocioni i shpërbërjes së Kuvendit nga ta.
Gjatë së mërkurës, edhe përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate kanë mbajtur një konferencë për media për zgjedhje të parakohshme, ata kanë kërkuar shkarkimin e Kurtit nga deputetët për t’i hapur rrugë këtyre zgjedhjeve.