Në një hulumtim të publikuar nga Instituti Octopus, janë dokumentuar me foto se si disa qytetarë serbë, e që mund të jenë edhe pjesë e shërbimit sekret, përmes grafiteve kërcënojnë Kosovën.
Me anë të këtyre grafiteve ata mundohen që fajin t’ua hedhin qytetarëve të Kosovës.
Mirëpo, Instituti Octopus duke analizuar në detaje këto grafite, del në përfundim se ato janë bërë nga qytetarë jo shqiptarë, që nuk njohin gjuhën shqipe.
Këto grafite janë shkruar në gjuhën arabe, gjoja se janë shkruar nga muslimanë. Këto grafite janë bërë në një objekt që quhet “Kisha e Trinitetit” me lokacion në Nakëll të Pejës, një objekt i vogël ku përreth ka disa varreza të vjetra e cila ka dalje në rrugën kryesore të fshatit.
Ky institute ka dëshmuar me fotografi këto grafite. Ja publikimi i plotë:
Lufta Hibride nëpërmjet grafiteve
Në vitin 2020 ka filluar të ndërtohet një objekt ku sipas burimeve publike serbe quhet “Kisha e Trinitetit” me lokacion në Nakëll të Pejës, një objekt i vogël ku përreth ka disa varreza të vjetra e cila ka dalje në rrugën kryesore të fshatit.
Prona ku është i vendosur objekti nuk është i rrethuar me ndonjë mbrojtje të pakalueshme dhe mund të ketë qasje kushdo që dëshiron.
Objekti nuk ka ndonjë identifikim të lehtë që është objekt fetar (nuk ka ndonjë kryq ortodoks) dhe deri vonë është përdorur si vendstrehim i narkomanëve, kalimtarëve të rastit dhe njerëzve pa strehë.
Në eskalim të situatës nëpërmjet luftës hibride, Serbia është angazhuar që në këtë objekt fetar të shkruaj disa grafitë duke i fajësuar shqiptarët për këto veprime.
Instituti OCTOPUS ka analizuar me kujdes mbishkrimet në muret e brendshme të kishës dhe në detaje ka analizuar edhe gjendjen përreth dhe situatën e sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas këtyre analizave kemi rezultatet si më poshtë:
Sipas fotos me numër 2, në analizën e fjalës “Allahu Akbar” vërejmë gabime të theksuara drejtshkrimore të cilat dëshmojnë se personi që e ka shkruar këtë grafit është njohës i dobët i gjuhës shqipe, gjegjësisht për dorëshkrim kryesor ka gjuhën serbe me shkronja cirilikë dhe po ashtu nuk ka njohuri mbi religjionin islam.
Fjala “AKbaR”, myslimanët nuk e shkruajnë me shkronjë të madhe, dhe po ashtu shkronja e fundit është prapë e madhe që ngjason me mësimin psikologjik të shënimit të shkronjave ne formë të shkronjave cirilikë. Për shkak të mos krahasimit me Allahun, myslimanët nuk shkruajnë Akbar po ashtu me shkronjë të madhe dhe këto dy fjalë bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Fjalia më lartë në foton e njëjtë ka edhe më shumë probleme ku aty realisht shkruan “Islani është feju(y) e votme e Vertet”. Pra nuk është shkruar “Islami” por “Islani”, pastaj autori duke mos e njohur gjuhën shqipe nuk ka ditur ta shkruaj fjalën “feja” e ka shkruar “feju(y)” pra duke mos njohur fjalën e saktë nuk ka ditur ta shënoj në fund shkronjën “a”. Autori po ashtu duke mos e njohur gjuhën shqipe nuk ka ditur ta shkruaj fjalën “vetme” e ka shkruar e “votme” dhe në fund autori po ashtu fjalën “vërtetë” e ka shkruar “Vertet” ku e ka filluar me shkronjë të madhe dhe i njëjti që ka vënë shkronjën “ë” tek fjala “është” nuk ka ditur të njëjtën ta vendosë tek fjala “Vertet”
Tek foto me numër 3 vërejmë edhe më shumë argumente se personat që kanë shkruar grafitet nuk kanë qenë shqiptar, nuk e njohin gjuhën shqipe dhe po ashtu dorëshkrimi i tij kryesor është gjuha serbe me shkronja cirilikë.
Pra, që në fillim të fjalisë ka filluar me shkronjën “C” që në gjuhën serbe cirilikë kuptohet shkronja “S”, pastaj ka bërë një rishënim duke u munduar ta përafroj me shkronjën shqipe “S” por që nuk ia ka arritur. Po ashtu shkronja “j” është shkruar pa pikë lartë shkronjës ashtu sikurse edhe shkronja “i” është shkruar pa pikë lartë tek fjala “kisha”. Po ashtu fjala “dojmë” ka filluar me “D” të madhe, me “j” pa pikë dhe fjala “xhami” është shkruar “gjami”, dhe vetëm këtë fjalën e fundit të gjithë myslimanët e dinë me çfarëdo niveli shkollimi apo jo shkollimi se si shkruhet saktë. Pra, kjo tregon që në foton 3 është edhe një person i dytë që shkruan grafite brenda mureve dhe po ashtu për gjuhë parësore ka gjuhën serbe me shkronja cirilikë. Në foto po ashtu është munduar të bëhet një simbol që autori ka dështuar.
Në foto shohim edhe një lopatë pune e cila është vendosur apo rivendosur pasi janë shkruar grafitet, dhe siç vërehet lopata nuk është përdorur nga mjeshtër të cilët kanë bërë punime aty, pasi mjeshtrit nuk i lënë pajisjet e tyre të punës të papastërta për shkak të dëmtimit të tyre.
Në foton me numër 4 vërejmë një dorëshkrim të ri ku mund të flasim për personin e tretë pjesëmarrës në shkrimin e grafiteve e që po ashtu nuk ka njohuri mbi gjuhën shqipe. Ata realisht kanë dashur ta shkruajnë “hiqe këtë kishë nga këtu, veç myslimanë ka këtu”, por realisht ai ka dështuar dhe ka zbuluar vetveten dhe qëllimin e grafiteve jashtëzakonisht shumë. Personi nuk ka ditur ta shkruaj asnjë fjalë në formën e duhur por dorëshkrimi i tij po ashtu e tradhton duke treguar që ai ka njohuri të shkrimit me shkronja cirilikë dhe shumë pak me shkronja latine e aq më pak në gjuhën shqipe. Tek fjala “kishë” ai nuk ka ditur ta shkruaj as si duhet në gjuhën shqipe por edhe shkronja “s” i ka ngjasuar më shumë me shkronjat cirilikë.
Po ashtu edhe tek fjala “ka” e ka tradhtuar dorëshkrimi duke devijuar në shkronjën e dytë në formë të shkronjave cirilikë.
Tek foto me numër 5, tek fjala “ALLAHU” kemi gabime, pasi në gjuhën serbe nuk ekziston shkronja “LL” atëherë autori nuk ka ditur si ta shkruaj atë saktë dhe ka devijuar duke shkruar “II” dy shkronja “I” të mëdha në gjuhën shqipe apo dy shkronja “l” të vogla por që janë në kundërshtim me shkronjat e tjera të mëdha. Ndërsa tek fjala “Ekbar” kemi po ashtu shumë dëshmi, ku tek fotoja 1 e pamë që fjalën e njëjtë e kanë shkruar me shkronjën “A” tek foto numër 5 e kanë shkruar me “E” që nuk ngjason me shkronjat në gjuhën shqipe por me ato cirilikë dhe në fund fjala përfundon me një vijë të zezë të trashë të pakuptimtë.
Tek foto numër 5 po ashtu vërejmë se aty në derë janë edhe çelësat ku dera mund të hapet vetëm nga persona përgjegjës dhe se dera nuk është e hapur me forcë por është hapur në formë normale.
Nga foto 5 shihen çelësat e vendosur në derë, gjë që tregon se autorët kanë pasur qasje legale në objekt dhe çelësat zakonisht i mban punëkryesi dhe pronarët e objektit, pra kanë pasur qasje të lirë.
Kryesit e veprës kanë shkruar në muret e brendshme që të mos vëreheshin nga kalimtarë apo banorë që pastaj do mund të denoncoheshin dhe zbuloheshin nga organet e sigurisë në Kosovë.
Nga të gjitha fotot vërejmë se kanë qenë disa persona, të cilët e kanë të varfër njohurinë mbi shkrimin e gjuhës shqipe.
Qëllimi i grafiteve
Këto grafitë vijnë pas angazhimit të fuqishëm serb në luftën hibride kundër Kosovës në sferën e sigurisë dhe në sferën politike.
Në vazhdën e aktiviteteve të luftës hibride si vazhdimësi e saj janë përdorur edhe çështjet më poshtë:
- Insistimi i hyrjes në Kosovë i patriarkut serb Porfirije pa leje nga autoritetet e Kosovës.
- Kampanja e Serbisë kundër Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
- Insistimi i Qeverisë së Serbisë për përdorimin e dinarit në mënyrë ilegale përkundër vendimit të BQK-së për përdorimin e euros si valutë e vetme zyrtare në Kosovë.
- Çështja e dhënies së asociacionit ndaj serbëve.
- Kontrabandimi i armatimit në veri të Kosovës.
Këto çështje Serbia i ka bërë pjesë të luftës hibride kundër Kosovës dhe i përdor në mënyrë konstante ku tani është duke përdorur edhe shtrirjen e tensioneve ndëretnike dhe kinse “cenimin e serbëve” edhe në rajone të tjera të Republikës së Kosovës.
Presidenti i tanishëm i Serbisë Aleksandër Vuçiq, në kohën kur ishte Ministër i Propagandës në regjimin e Sllobodan Millosheviçit kishte rolin e montimit të rasteve të ndryshme ku edhe njihet si Gebelsi serb. Ai tani të njëjtën mjeshtëri e vazhdon edhe kur është vetë në krye si autokrat i institucioneve të Serbisë. Ky lajm dhe lajme të ngjashme përhapen së pari nga mediumi serb Kosovo Online.
Çështja e grafiteve argumentohet edhe më shumë se është një çështje e montuar nga qeveria e Serbisë, pasi në Serbi mediat kontrollohen nga Vuçiqi, dhe kështu nëpërmjet grafiteve do të arrinte të propagandonte për të ngjallur viktimizimin tek ndërkombëtarët dhe shovinizmin tek populli serb. Për këtë jo rastësisht ka zgjedhur ministër të informacionit Dejan Ristiçin i cili që para se të bëhej ministër është kujdesur qe tek nxënësit, mësuesit dhe populli serb të ngjallë ndjenjën e viktimizimit, gjenocidit dhe nacionalizimit shovinist tek serbët.
Në të kaluarën siç dihet botërisht, politika serbe në bashkëpunim me shërbimin sekret serb kanë bërë akte të tilla edhe më të vrazhda duke akuzuar shqiptarët për të justifikuar veprimet e tyre më pas.
Vlen të përmendet rasti “Panda” në Pejë ku në një kafiteri u vranë 6 të rinj të nacionalitetit serb në vitin 1998. Për këtë rast u akuzuan dhe dënuan disa shqiptarë nga gjykatat serbe. Njësia speciale e UDB-s “Beretat e Kuqe” u hakmor menjëherë ndaj shqiptarëve tjerë të pafajshëm me vrasje, tortura, dhunë, burgosje, plaçkitje dhe maltretime të ndryshme.
Në vitin 2013, vetë Aleksandër Vuçiq e ka pranuar publikisht që ky akt i shëmtuar kriminal është kryer nga vetë institucionet e sigurisë së Serbisë, pjesëtarë të policisë speciale dhe kriminelë serb që vepronin në atë kohë, por si veprim ishte i planifikuar nga UDB-ja serbe.
Ndërsa, pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, është dëshmuar se regjimi i Vuçiqit i përdor kishat serbe në Kosovë edhe për strehimin e armëve dhe terroristëve.
Andaj, faktet, analizat dhe rrethanat politike dhe të sigurisë, na dërgojnë tek fakti se këtë akt e ka organizuar vetë Serbia dhe shërbimi sekret i saj.