Kohëve të fundit janë shtuar zërat për shkuarje në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vetëvendosje dhe PDK tashmë janë pajtuar për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Nga ana tjetër, LDK dhe AAK po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, duke refuzuar shpërbërjen e kuvendit me votën e deputetëve.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka quajtur të papritur ftesën e kryeministrit Kurti për takim në darkë pune më partitë opozitare.
Sipas tij, për tri vjet Albin Kurti nuk e ka ftuar në takim opozitën për asnjë çështje.
“Ai ka ftuar takim për agjendë legjislative. Ftesa ka qenë e përcaktuar edhe me emër të përveçëm, janë ftuar kryetari i partisë dhe shefi i grupit parlamentar dhe në momentin që caktohet formati dhe çështja që duhet të bisedohet, e kemi kuptuar se nuk bëhet fjalë vetë për agjendën legjislative, por për diçka tjetër”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, Albin Kurti ka agjendë të fshehur.