PDK-ja s’ka vija të kuqe me asnjë parti, përfshirë edhe VV-në e Kurtit

Aktuale

PDK-ja s’ka vija të kuqe me asnjë parti, përfshirë edhe VV-në e Kurtit

Më: 15 maj 2024 Në ora: 22:52
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se partia e tij nuk ka asnjë vijë të kuqe për asnjë nga partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se PDK-ja asnjëherë s’ka pasur vija të kuqe për partitë shqiptare, që nga koha e Hashim Thaçit, duke vijuar me Kadri Veselin e tutje.

Sipas tij, kjo është një pjesë e trashëgimisë politike të PDK-së.

“A e ke dëgju ndonjëkënd nga PDK që nga Thaçi, Veseli e Hoxha, që ka thënë kemi vija të kuqe për atë e për këtë. Jo që kemi qenë të hapur komplet, por kemi pasur parim që është pjesë e trashëgimisë politike. Duke i ekskomuniku partitë politike që kemi vija të kuqe për ta, konsideroj që i ofendojmë votuesit e tyre, që janë si ne, shqiptarë, mund të jenë familjarë tonë. Kur i thu kemi vijë të kuqe, është armiqësim që s’dua të kontribuoj”, tha ai.

Ai tha se VV-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë pasur vija të kuqe në të kaluarën për PDK-në, por tashmë ato “janë fshirë”.

“Ka pas vija të kuqe, LDK, AAK, e VV, zakonisht me PDK kanë pasur, i kanë fshi ato vija. I kam leju me hy në koalicione lokale me VV-në, jo që kemi pasur nevojë, por për me i tregu”, tha ai.

Krasniqi tha se PDK-ja preferon të bëjë koalicion paszgjedhor me ndonjë parti që është e përafërt ideologjikisht me të.

“Prefrenca e PDK-së për me kriju qeveri është me parti që kanë një qëndrim të qendrës së djathtë,  VV-ja është parti e majtë, nuk kemi në hapësirë për me pasur program të përbashkët të qeverisë, s’mundemi që hendekun e ofendimet me i tejkalu aq lehtë. Përtej kësaj kam bindje tjetër, nëse shkojmë në zgjedhje me Bedriun, me listën për deputetë, do i bindim qytetarët me e rikthy besimin që e kemi pasur dikur”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat