Ahmeti: Po lobojmë të jemi në agjendën e Këshillit të Ministrave, s’ka arsye për shtyrje

Aktuale

Ahmeti: Po lobojmë të jemi në agjendën e Këshillit të Ministrave, s’ka arsye për shtyrje

Më: 16 maj 2024 Në ora: 00:20
Kreshnik Ahmeti

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Madje, Ahmeti thotë se agjenda e Këshillit të Ministrave akoma nuk është e mbyllur përfundimisht dhe Kosova po angazhohet që të jetë pjesë e saj më 17 maj.

“Proceduralisht nuk është e mbyllur agjenda, deri në momentin kur fillon ministeriali, madje edhe përbrenda ministerialit mund të propozohet. Ne po bëjmë thirrje dhe po lobojmë që kjo çështje të përmbyllet sa më parë, sepse nuk ka asnjë arsye që të ketë shtyrje për anëtarësimin. Më shumë se shpresë ka angazhim për këtë gjë”, është shprehur ai.

Më tej, zëvendësministri i MPJD-së duke thënë se nuk është e pamundur që Kosova të jetë në agjendë të premten, po ashtu ka vlerësuar se asnjë shtet kandidat për anëtar të Këshillit të Evropës nuk ka qenë më i përgatitur.

Ahmeti ka konsideruar se Kosova ka plotësuar kriteret për KiE më shumë se edhe disa vende tashmë anëtare të këtij këshilli.

“Është çështje kohe se kur Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, ne po punojmë që kjo të ndodhë sa më parë. Nuk është e pamundur të jetë, por edhe po të mos jetë më 17 maj që sigurisht nuk do të ishte sinjal i mirë, sepse Komiteti i Ministrave nuk po e adreson jo vetëm në raport me Kosovën anëtarësimin tonë por gjithashtu nuk po adreson edhe një çështje të vetë një organi tjetër të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare. Gjithsesi që Kosova do të jetë anëtarë por duhet të jetë anëtare në bazë të meritës së saj sepse kemi punuar kohë të gjatë që nga pavarësia. Mund të them se si shtet kandidat aspirues për tu bërë anëtar i Këshillit të Evropës nuk ka qenë asnjë shtet tjetër që tashmë anëtarë kaq i përgatitur. Ne i plotësojmë kriteret më shumë se disa vende që janë anëtarë tashmë” ka shtuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat