Ahmeti: Kosova duhet të anëtarësohet në KiE, sepse e meriton, jo duke bërë pazare

Aktuale

Ahmeti: Kosova duhet të anëtarësohet në KiE, sepse e meriton, jo duke bërë pazare

Më: 16 maj 2024 Në ora: 00:41
Kreshnik Ahmeti

Zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës sipas meritës, e që sipas tij, të gjitha kushtet janë plotësuar e jo përmes pazareve.

Ai këtë e ka thënë duke komentuar kushtin e vendosur nga disa vende e ku me të zëshmet ishin Franca e Gjermania, që Kosova duhet të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit për tu anëtarësuar në këtë organizatë.

“Për mua është e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në bazë të meritës së saj, jo si rezultat i pazareve apo ngatërrimit të proceseve që nuk kanë të bëjnë më njëra tjetrën. Jam i bindur që është në interes të Kosovës të anëtarësohemi si rezultat i meritës e jo një lloj pazari që të japim diçka që të anëtarësohemi në një organizatë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se kushti ka qenë i padrejtë dhe këtë e ka bërë të ditur edhe raportuesja për Kosovën në Asamblenë Parlamentare, Dora Bakoyannis.

Ahmeti ka thënë se Kosova do të ishte e gatshme të plotësonte kushte tjera, nëse ato dalin në Këshilli i Evropës.

“Ne po duam të jemi anëtarë sepse e meritojmë. Nëse ka kritere të tjera që Asambleja Parlamnetare me pesë raportues nuk kanë gjetur të tjera atëherë jemi të gatshëm t’i adresojmë por duhet të jenë përbrenda Këshillit të Evropës, jo për çështje të tjera”, ka thënë ai.
Kosova ka mbetur jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave të KiE-së që do të mbahet më 17 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat