Këshilli i Evropës - Aktivizohet edhe Vjosa Osmani, flet me presidentin e Gjermanisë

Aktuale

Këshilli i Evropës - Aktivizohet edhe Vjosa Osmani, flet me presidentin e Gjermanisë

Më: 16 maj 2024 Në ora: 00:53
Vjosa Osmani dhe Frank-Walter Steinmeier

Në fushatën lobuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është aktivizuar edhe presidentja, Vjosa Osmani.

Për t’ia siguruar Kosovës anëtarësimin që po kushtëzohet me hapa drejt asociacionit, Osmani ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

“Dje, kam biseduar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për të diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. E kam cekur rëndësinë kritike për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, për të siguruar që gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte fitore vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat qëndron fuqishëm”, ka deklaruar Osmani.

Këtë çështje Osmani e ka përmendur edhe në takimin që ka pasur me kryeministren e Danimarkës, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në përkrahje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës përmes një letre publike kanë reaguar edhe 24 organizata joqeveritare. Në përshkrimin e letrës publike thuhet se ky grup i organizatave e mbështet fuqimisht ofertën e dhënë për Kosovën, duke u zotuar se mbeten të përkushtuara që të sigurojnë që Qeveria të vazhdojë të përmbushë të gjitha kushtet e pas-anëtarësimit, përfshirë asociacionin.

“Shoqëria civile në Kosovë është e përkushtuar në mbajtjen e presionit ndaj Qeverisë për të përmbushur obligimet për të cilat është përkushtuar Kosova, plotësisht dhe në mënyrë transparente, duke siguruar që rruga jonë drejt integrimeve evropiane të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ne jemi të gatshëm të mbështesim dhe avokojmë për këto qëllime, duke promovuar një të ardhme ku Kosova të përparojë si pjesë e familjes evropiane.”

Në rast se Kosova dështon të hyj në agjendën e Komitetit të Ministrave, kjo situatë sipas politilogëve mund t’i kushtojë vendit me pasoja në disa aspekte.

“Kur një shtet merr përsipër obligime të caktuara dhe nuk i zbaton ato. Atëherë legjitimohen forma të ndryshmë të presionit ndërkombëtar. Prej kërkesave të vazhdueshme për themelim të asociciacionit dhe kushtëzim Kosovës me avansim të sovranitetit të saj edhe subjektivitetit të saj e deri te sanksionet në forma të ndryshme financiare e politik. E më e keqja me legjitimimin e mëtutjeshëm të kërkesave të serbëve të veriut edhe të Serbisë”, ka thënë Shkodran Ramadani, Politolog.

Ramadani thotë se asociacioni kusht për Këshillin e Evropës nuk është befasi për krerët e shtetit sepse ata kanë qenë të informuar edhe më herët për këtë kusht, por kanë heshtur.

Ani se jo si kërkesë në standarde të Këshillit, Asociacioni ishte përmendur edhe në raportin për Kosovën, të raportueses Dora Bakojanis.

“Themelimi i asociacionit duhet të jetë i pranishëm dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për aderim në Këshill të Evropës.”, thuhej në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat